Shaqiri: Qytetarët shqiptarë të Butelit duhet të ndryshojnë vendbanimin në dokumentet
Deputeti i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Rijad Shaqiri, ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të Komunës së Butelit që kanë vendbanim të regjistruar në komunat tjera, të ndryshojnë këtë informacion në dokumentet personale.
Sipas tij, kjo do të ndikonte në përfaqësimin e strukturës demografike reale të komunës gjatë zgjedhjeve lokale të ardhshme.
Në emisionin “IMPAKT” të TV SHENJA, Shaqiri thotë se “popullata si popullatë, por edhe ne si politikë, duhet të jemi më të unifikuar në këtë drejtim”. Ai inkurajon qytetarët që jetojnë gjeografikisht në Butel, por me vendbanim juridik në komunat tjera, të ndryshojnë dokumentet e tyre për të reflektuar vendbanimin real.
“I kisha inkurajuar dhe kisha kërkuar që çdokush prej tyre ta bëjë ndryshimin e dokumenteve personale konform vendit ku jeton. Në këtë mënyrë do të arrijmë që dallimi demografik që kemi të realizojmë në zgjedhjet e ardhshme lokale, sepse demografia e Komunës së Butelit është e tillë”, thotë Shaqiri.
Deputeti po ashtu vuri në pah se kjo do të ndikonte pozitën e komunës në rangun e komunave shqiptare. “Komuna e Butelit duhet të jetë komuna pas Bërvenicës, komuna shqiptare”, deklaron Shaqiri.
Ai po ashtu thekson se kjo do të lehtësojë komunikimin me kryetarin e komunës shqiptar, pasi shumica e banorëve do të përkasin një etnie.
“Jo që duam t’i marrim të drejtën dikujt të menaxhojë me komunën, por thjesht, kur shumica janë të një etnie, sigurisht se shumë më lehtë do ta kesh komunikimin me kryetarin e komunës shqiptar sesa maqedonas”, pohoi Shaqiri.
Kjo thirrje vjen në një moment kur Buteli është në procesin e zgjedhjeve lokale dhe diskutimeve për përfaqësimin e përbashkët të shqiptarëve në strukturat komunale.
Me pak fjalë
Deputeti Rijad Shaqiri ka thirrur qytetarët shqiptarë të Butelit që kanë vendbanim të regjistruar në komunat tjera, të ndryshojnë dokumentet për të reflektuar vendbanimin real dhe të ndikojnë në përfaqësimin demografik në zgjedhjet lokale të ardhshme.
Personat e përmendur
- Rijad Shaqiri - Rijad Shaqiri
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




