Shasivari kujton Arbën Xhaferin: Trashëgimia e tij mbetet udhërrëfyes për lirinë dhe barazinë

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka kujtuar Arbën Xhaferin në 14 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke e vlerësuar si një nga figurat më të ndritura dhe vizionare të mendimit politik e intelektual mbarëshqiptar. Në një postim në r...

gusht 15, 2026 - 11:30
Shasivari kujton Arbën Xhaferin: Trashëgimia e tij mbetet udhërrëfyes për lirinë dhe barazinë

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka kujtuar Arbën Xhaferin në 14 vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, duke e vlerësuar si një nga figurat më të ndritura dhe vizionare të mendimit politik e intelektual mbarëshqiptar.

Në një postim në rrjetet sociale, Shasivari shkruan se Xhaferi nuk ishte thjesht një lider politik, por një filozof i të drejtave njerëzore dhe kombëtare, i cili me urtësinë dhe qartësinë e mendimit të tij udhëhoqi procese të rëndësishme drejt barazisë, dinjitetit dhe avancimit institucional të shqiptarëve.

“Trashëgimia e tij teorike dhe praktike mbetet një udhërrëfyes i çmuar për ndërtimin e një shoqërie ku sundimi i ligjit, drejtësia dhe shteti i së drejtës janë shtyllat kryesore të bashkëjetesës dhe zhvillimit”, shprehet Shasivari.

Ai thekson se edhe 14 vjet pas vdekjes, përkushtimi i Xhaferit ndaj parimeve të lirisë dhe barazisë mbetet i rëndësishëm.

Sipas Shasivarit, vizioni i Arbën Xhaferit obligon që të vazhdojë angazhimi për reforma të qëndrueshme në drejtësi, meritokraci dhe mbrojtjen e të drejtave legjitime të të gjithë qytetarëve, me synim forcimin e themeleve të një sistemi të drejtë dhe transparent.

“E përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Arbën Xhaferit”, përfundon Shasivari. (INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.