Shasivari: Legjislacioni zgjedhor kërkon dialog institucional, jo përplasje politike
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e grupit të punës për reformat në legjislacionin zgjedhor, ku janë diskutuar çështjet e hapura dhe hapat e nevojshëm për zhbllokimin e procesit dhe rikthimin e t...
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka zhvilluar sot një takim me anëtarët e grupit të punës për reformat në legjislacionin zgjedhor, ku janë diskutuar çështjet e hapura dhe hapat e nevojshëm për zhbllokimin e procesit dhe rikthimin e tij në një dinamikë aktive institucionale.
Shasivari tha se Ministria e Drejtësisë ka iniciuar një dialog të hapur, serioz dhe konstruktiv, me qëllim që përmes diskutimit të argumentuar, mirëkuptimit të ndërsjellë dhe propozimeve konkrete të arrihet përparim në reformën e legjislacionit zgjedhor.
“Ftesa ime për dialog nuk ishte ftesë për përplasje politike, por ftesë për përgjegjësi institucionale”, theksoi ministri.
Sipas tij, legjislacioni zgjedhor kërkon përgjegjësi të gjerë institucionale, pasi rregullat e procesit zgjedhor janë të lidhura drejtpërdrejt me besimin e qytetarëve në institucionet demokratike.
“Kodi zgjedhor nuk është pronë e asnjë partie politike, as e pushtetit dhe as e opozitës. Ai është ligji që përcakton rregullat demokratike sipas të cilave qytetarët shprehin dhe realizojnë vullnetin e tyre të lirë”, tha Shasivari.
Ministri vlerësoi se të gjithë aktorët politikë kanë detyrim të dialogojnë dhe se dallimet politike nuk duhet të shndërrohen në pengesë për përmirësimin e sistemit zgjedhor.
Ai theksoi se synimi duhet të jetë ndërtimi i një legjislacioni zgjedhor stabil, të parashikueshëm dhe transparent, të harmonizuar me standardet evropiane dhe rekomandimet relevante të OSBE/ODIHR-it.
“Nuk pres që të pajtohemi të gjithë për gjithçka. Por pres që të dialogojmë”, deklaroi Shasivari.
Sipas tij, reforma zgjedhore i tejkalon interesat e politikës së ditës, pasi prek drejtpërdrejt çdo qytetar dhe besimin në procesin demokratik dhe institucionet.
Ministria e Drejtësisë, bëri të ditur Shasivari, do të vazhdojë punën me Kuvendin, partitë politike, komunitetin e ekspertëve, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet relevante, me synimin për të avancuar procesin e reformës.
Duke folur për integrimin evropian, ministri tha se ai nuk duhet të mbetet vetëm deklaratë politike, por duhet të shoqërohet me reforma konkrete, institucione të fuqishme, sundim të ligjit dhe rregulla që vlejnë njësoj për të gjithë.
“Në vend që të kërkojmë se kush do të jetë fituesi politik i një debati, duhet të kërkojmë zgjidhjen më të mirë për qytetarët dhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, ka thënë Shasivari.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.