Ministri i Drejtësisë i Maqedonisë së Veriut, Jeton Shasivari, ka drejtuar kritika ndaj ish-ministrave shqiptarë të Drejtësisë, duke rikujtuar se tetë prej tyre kanë drejtuar këtë institucion që nga viti 2001, por nuk e kanë zgjidhur çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në pjesën e dytë të intervistës për Agjencinë e Lajmeve INA, Shasivari foli për përgjegjësinë politike dhe institucionale për këtë problem, i cili për vite me radhë ka prekur gjenerata të tëra studentësh shqiptarë të drejtësisë.
I pyetur nga INA se sa i rëndësishëm është fakti që tetë ministra shqiptarë kanë qenë në krye të Ministrisë së Drejtësisë që nga viti 2001, Shasivari u përgjigj se historia duhet të shërbejë për të kuptuar përgjegjësinë.
“Ku ishin të gjithë këta ministra gjatë këtyre viteve? Ku ishin kur gjenerata të tëra studentësh përballeshin me këtë pengesë? Pse nuk e zgjidhën kur i kishin në dispozicion pushtetin, institucionet dhe të gjitha mundësitë politike?”, deklaroi Shasivari.
Sipas tij, është dashur të kalojnë 25 vjet që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe të përfshihet në agjendën e reformave konkrete.
Shasivari theksoi se qeveria aktuale është e njëzeta që nga pavarësia e Maqedonisë në vitin 1991 dhe, sipas tij, e para që e ka vendosur këtë çështje në rrugën e një zgjidhjeje konkrete, përmes propozim-ligjit që parasheh respektimin dhe avancimin e të drejtave gjuhësore në provimin e jurisprudencës.
Duke iu referuar kundërshtimeve politike ndaj kësaj zgjidhjeje, ministri dha një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Për 25 vjet nuk e zgjidhën problemin. Sot e sulmojnë zgjidhjen!”
Ai e cilësoi këtë si dallim mes demagogjisë politike dhe përgjegjësisë institucionale, duke theksuar se ndryshimi kërkon veprime konkrete dhe jo vetëm deklarata politike.
“Ky është dallimi mes demagogjisë dhe përgjegjësisë. Mes atyre që prodhojnë zhurmë politike dhe atyre që marrin përgjegjësi për të ndryshuar gjërat”, u shpreh ministri Shasivari në intervistën për INA.
“Nuk mund t’i kesh edhe milionat e Soravisë, edhe shqipen!”
Në pjesën e parë të intervistës për INA, Shasivari kishte drejtuar akuza edhe ndaj BDI-së dhe kreut të saj, Ali Ahmeti, lidhur me qëndrimin ndaj zgjidhjes së propozuar për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Duke shpjeguar deklaratën e tij polemike, ministri tha se bëhet fjalë për një çështje kontrasti dhe përgjegjësie politike.
“Nuk është çështje fjalësh, por çështje kontrasti dhe përgjegjësie. Epo, nuk mundesh edhe milionat e Soravisë, edhe gjuhën shqipe! Ose, ndoshta mundesh për një kohë, por pastaj nuk mundesh më, sepse përfundon në opozitë!”, deklaroi Shasivari.
Ai shtoi se për më shumë se dy dekada, sipas tij, publikut i është shitur patriotizëm, ndërsa sot, siç tha, është legjitime të shtrohen pyetje për pasurinë, bizneset dhe lidhjet financiare të rrethit familjar të Ali Ahmetit.
“Në të njëjtën kohë, kur bëhet fjalë për një të drejtë konkrete të qytetarëve dhe studentëve shqiptarë, shfaqen kundërshtime politike”, theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në intervistën për Agjencinë e Lajmeve INA.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




