Shasivari: Zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsipnit në burgje
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në burgje është një nga prioritetet e reformës së sistemit penitenciar, duke nënvizuar se rrjetet kriminale nuk njohin kufij dhe se përgji...
Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në burgje është një nga prioritetet e reformës së sistemit penitenciar, duke nënvizuar se rrjetet kriminale nuk njohin kufij dhe se përgjigjja institucionale duhet të jetë e përbashkët dhe rajonale.
Në Konferencën Rajonale “Krimi i organizuar në burgje – forcimi i integritetit, kapaciteteve të inteligjencës dhe bashkëpunimit në Evropën Juglindore”, organizuar nga Misioni i OSBE-së dhe Ambasadës së SHBA-së, Shasivari theksoi se rrjetet kriminale shfrytëzojnë dobësitë institucionale dhe i ndërlidhin aktivitetet e tyre në disa shtete.
“Rrjetet kriminale komunikojnë përtej kufijve, shfrytëzojnë dobësitë e institucioneve dhe i ndërlidhin aktivitetet e tyre në disa shtete. Na nevojitet shkëmbim më i shpejtë dhe më efikas i informacionit të inteligjencës, koordinim më i mirë ndërinstitucional, vlerësim i përbashkët i rreziqeve të sigurisë dhe korrupsionit, si dhe ndërtim i përbashkët i kapaciteteve”, porositi Shasivari.
Ministri i Drejtësisë theksoi se gjatë periudhës së kaluar janë ndërmarrë masa konkrete për forcimin e sistemit penitenciar dhe rritjen e rezistencës së tij ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në kuadër të masave të ndërmarra, janë punësuar 100 zyrtarë të rinj, janë vendosur trajnime të specializuara kundër korrupsionit, ndërsa janë formuar edhe njësi për inteligjencën e burgjeve në Idrizovë, Shtip, Prilep dhe Burgun e Shkupit.
Paralelisht, Ministria e Drejtësisë po punon në profesionalizimin e menaxhimit të sistemit penitenciar përmes përgatitjes së ndryshimeve ligjore, me të cilat parashihet që pozitat drejtuese në policinë e burgjeve t’u besohen profesionistëve me përvojë nga vetë sistemi.
Në drejtim të përmirësimit të kushteve në institucionet ndëshkuese-korrektuese, janë siguruar 25 milionë euro për ndërtimin e objekteve në SHNK Idrizovë, në kuadër të një projekti me vlerë prej 46 milionë euro, me qëllim krijimin e kushteve më të sigurta dhe më të përshtatshme, në përputhje me standardet evropiane.
Shasivari u ndal edhe te zhvillimi i probacionit dhe mbikëqyrjes elektronike, si pjesë e rëndësishme e politikës moderne penitenciare. Në vitin 2025 është shqiptuar aktgjykimi i parë për burgim shtëpiak me mbikëqyrje elektronike, ndërsa deri më tani janë marrë 11 vendime gjyqësore për zbatimin e kësaj mase.
“Asnjë shtet nuk mund të përballet i vetëm me krimin e organizuar. Na nevojitet shkëmbim më i shpejtë i informacionit të inteligjencës, koordinim më i mirë dhe ndërtim i përbashkët i kapaciteteve. Siguria e burgjeve, siguria e institucioneve dhe siguria e rajonit tonë janë përgjegjësi e përbashkët”, theksoi ministri Shasivari.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.