SHBA dhe BE: Bllokada politike po i shkakton dëm Kosovës, të formohen institucionet
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar thirrjet drejtuar spektrit politik në Kosovë, duke kërkuar formimin e menjëhershëm të institucioneve të reja shtetërore para skadimit të afatit kushtetues, i cili përf...
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë intensifikuar thirrjet drejtuar spektrit politik në Kosovë, duke kërkuar formimin e menjëhershëm të institucioneve të reja shtetërore para skadimit të afatit kushtetues, i cili përfundon nesër, më 7 gusht.
Si pasojë e ngecjes në konstituimin e Kuvendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit, partnerët ndërkombëtarë kanë shprehur shqetësimin për dëmet që po i shkaktohen vendit.
Zyra e BE-së në Kosovë ka theksuar se “vendit i duhen institucione funksionale për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian”. Brukseli vlerëson se është përgjegjësi e aktorëve politikë vendorë që të gjejnë një zgjidhje për të siguruar stabilitet dhe për të adresuar reformat e nevojshme për qytetarët.
Ambasada e SHBA: Bllokada politike po i shkakton dëm Kosovës, institucionet duhet të formohen në përputhje me Kushtetutën
Ambasada e SHBA në Prishtinë u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të punojnë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në mënyrë që të formohen institucionet e reja bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit.
Duke paralajmëruar për mundësitë e humbura, Ambasada theksoi se ka ardhur koha që liderët politikë t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit në interes të të gjithë qytetarëve.
Në një përgjigje për Gazeta Express, Ambasada porositi se liderët politikë të Kosovës duhet të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të formuar institucionet.
Zyra e BE-së në Kosovë: Aktorët politikë duhet të formojnë institucionet e jahta pa vonesë
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka deklaruar se aktorët politikë në Kosovë duhet të gjejnë një zgjidhje për formimin e institucioneve të reja pa vonesë.
Kjo zyrë deklaroi për gazetaexpress.com se mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën, por theksoi se “vendit i duhen institucione funksionale për të vazhduar rrugën drejt BE-së”.
BE përsëriti thirrjen drejtuar liderëve politikë në Kosovë që të gjejnë një zgjidhje për të dalë nga bllokada institucionale “në mënyrë që vendi të mund të vazhdojë rrugën e integrimeve evropiane”.
“U takon aktorëve politikë të Kosovës të gjejnë një zgjidhje dhe të sigurojnë krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe funksionale,” shtoi ajo.
BE-ja theksoi gjithashtu se mbetet e përkushtuar ndaj mbështetjes së zhvillimit demokratik të Kosovës dhe rrugës së saj evropiane.
“Është e rëndësishme që institucionet e qëndrueshme të formohen pa vonesë dhe të jenë të afta t’i përgjigjen nevojave të qytetarëve, të zbatojnë reformat e nevojshme dhe të avancojnë agjendën e Kosovës në procesin e integrimit në BE,” shtohet tutje.
Ky reagim i bashkërenduar vjen pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, ku lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për konsulta lidhur me zgjedhjen e presidentit.
Ndërkohë, Ambasada gjermane ka mbështetur gjithashtu këto thirrje, duke deklaruar se “Kosova nuk ka kohë për të humbur” dhe se vendit i nevojiten institucione me mandat të plotë për të vazhduar agjendën e përbashkët evropiane.(INA)
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.