Shkolla e re shqipe në Nerovë të Krushevës lihet në gjysmë, fëmijët në kushte katastrofale

Edhe pse u mor vendimi që objekti i ri i shkollës “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës të kalojë në pronësi të kësaj komune, nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në ndërtesën e vjetër, ndërsa objekti i ri i nisur nga banorët, ka mbetur...

shtator 19, 2026 - 17:00
Shkolla e re shqipe në Nerovë të Krushevës lihet në gjysmë, fëmijët në kushte katastrofale

Edhe pse u mor vendimi që objekti i ri i shkollës “Nikolla Karev” në Nerovë të Krushevës të kalojë në pronësi të kësaj komune, nxënësit shqiptarë vazhdojnë të mësojnë në ndërtesën e vjetër, ndërsa objekti i ri i nisur nga banorët, ka mbetur i papërfunduar.

Vitin e kaluar, përfaqësuesit e VLEN-it në qeveri e paraqitën veten si faktorë në zgjidhjen e problemit dhe u përplasën me opozitën se kujt i takonin meritat, por çështja nuk është zgjidhur dhe ka mbetur në harresë institucionale, shkruan Portalb.mk.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se mjetet për përfundimin e objektit mund të planifikohen në të ardhmen, por jo gjatë këtij viti.

SKANDAL NË NEROVË: Shkolla e re mbetet gërmadhë, nxënësit mësojnë në kushte mizerabël

Nxënësit e fshatit Nerovë në Komunën e Krushevës vazhdojnë të ndjekin mësimin në një godinë të vjetër të vitit 1947, ku kushtet janë në prag të katastrofës. Mësuesit dhe vetë fëmijët denoncojnë se gjatë reshjeve çatia pikon brenda klasave, ndërsa mungojnë bankat, karriget dhe kushtet elementare higjienike.

Mësimi mes lagështirës dhe tavanit që pikon

Gjendja alarmante konfirmohet nga stafi arsimor dhe vetë nxënësit që përballen çdo ditë me këtë realitet. Mësuesi Miziret Jusufi tregon se janë të detyruar ta zhvillojnë mësimin në dy ndërrime në objektin e vitit 1947: “Kushtet janë të mjerueshme, mirëpo jemi të detyruar që mësimin ta zhvillojmë këtu”. Edhe fëmijët e shprehin hapur shqetësimin e tyre, ku njëra nga nxënëset tha: “Kur bie shi na pikon çatia. Ne duam të kemi shkollë si të tjerat fshatrat”, ndërsa një tjetër shton se “na mungojnë bankat, ulëset dhe tualetet nuk i kemi hiç të mira”.

Objekti i ri i bllokuar nga burokratizimi

Për t’i dhënë fund këtij mjerimi, arsimtarët dhe Këshilli i Prindërve morën iniciativë për të ndërtuar një godinë të re me ndihmën e donatorëve. Mirëpo, punimet u ndërprenë dhe objekti mbeti gjysmë i përfunduar pasi u ngrit kallëzim penal me arsyetimin se ishte illegal. Edhe pse së fundmi shkolla e re u legalizua dhe kaloi në pronësi të Komunës së Krushevës, punimet nuk kanë lëvizur nga vendi. Kryetari i Këshillit të Prindërve, Dashmir Jusufi, deklaron: “Pas legalizimit të objektit të ri deri më tani nuk është punuar asgjë. Mjetet nuk janë të siguruara dhe Komuna e Krushevës thotë se nuk ka buxhet të vetin”. Komuna arsyetohet se fshati Nerovë nuk është ende i përfshirë në Planin e Detajuar Urbanistik dhe se zgjidhja do të kërkohet nga pushteti qendror.

MASH pa buxhet, ndërsa premtimet politike mbeten në letër

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) konfirmoi për Portalb.mk se procedura e dokumentacionit juridik ka përfunduar, por preu shpresat për ndërhyrje të shpejtë: “Për këtë vit, nuk janë paraparë mjete”. Problemi nxiti përplasje politike, vizita nga përfaqësues të koalicionit VLEN, BDI-së, si dhe vetë ambasadorit të Shqipërisë, Denion Meidani. Megjithatë, asgjë nuk ka lëvizur në terren. Siç konfirmon edhe Dashmir Jusufi, “asnjë përfaqësues politik shqiptar nga pushteti qendror nuk është zotuar se do ndihmojë në përshpejtimin e ndërtimit”, duke i lënë nxënësit e Nerovës pa asnjë afat konkret se kur do të hyjnë në bankat e reja./Portalb.mk


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.