Shkolla “Njegosh” në Idrizovë / Nxënësit shqiptarë ende nuk mund të mësojnë shqip
Për më pak se dy jave viti i ri shkollor do të fillojë me probleme të vjetra. Assesi të zgjidhet problemi me paralelet në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë të Gazi Babës. Në këtë shkollë, nxënësit mësojnë në gjuhën shq...
Për më pak se dy jave viti i ri shkollor do të fillojë me probleme të vjetra. Assesi të zgjidhet problemi me paralelet në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Njegosh” në Idrizovë të Gazi Babës. Në këtë shkollë, nxënësit mësojnë në gjuhën shqipe vetëm deri në klasë të gjashtë, ndërsa deri në të nëntën duhet të shpërngulen në shkolla të tjera. Për këtë reaguan edhe nga Aleanca për Shqiptarët. Para Ministrisë së Arsimit, nga kjo parti pyetën ministren se pse nuk e dëshmon në vepër atë që e deklaron, përkatësisht se çdo nxënës ka të drejtë të shkollohet në gjuhën amtare.
“Në shkollën fillore “Njegosh”, nxënësit shqiptarë mund ta ndjekin mësimin në gjuhën shqipe vetëm deri në klasën e pestë. Nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, ata detyrohen të vazhdojnë shkollimin në komuna të tjera vetëm që të mund të mësojnë në gjuhën e tyre. Është e papranueshme që në vitin 2026 fëmijët shqiptarë të përballen ende me pengesa të tilla. Çfarë i pengon institucionet që në shkollën “Njegosh” të hapin paralele në gjuhën shqipe edhe nga klasa e gjashtë deri në të nëntën?”, pyeti Valon Jahii nga Aleanca për Shqiptarët.
Ministrja e Arsimit Vesna Janevska premton se edhe kjo çështje do të zgjidhet por se kur nuk saktësoi. Shkolla “Njegosh” është një prej shkollave tek e cila janë planifikuar të ndërtohen objekte të reja që do të përdoren si klasa, me qëllim zgjerimin e ambienteve. Apelon që çështja të mos politizohet sepse do të pësojnë vet nxënësit.
“Sipas njohurive që kam, fëmijët mësojnë në gjuhën amtare nga klasa e parë deri në të gjashtën. Më pas klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë mësojnë në shkollë tjetër. Ju informoj se as atë shkollë nuk e kemi harruar, është pjesë e grupit të shkollave ku do të ketë ndërtim të klasave të reja, nuk jam e sigurt nëse në nëntor apo në pranverë. Nuk bëhet fjalë për asnjë zgjidhje politike. Dëmi është për të gjithë por më tepër është tek ata ku nxiten shqetësime. Pra edhe në këtë shkollë do të ndërtojmë klasa dhe shpresoj se do të zgjidhim problemin. Nuk mundem saktë të them se cili është projekti por me siguri e di se edhe atje do të ndërtohen klasa”, u përgjigj Vesna Janevska, ministre e Arsimit.
Deri para dy viteve, në shkollën “Njegosh”, në gjuhën shqipe nuk mundeshin ta ndjekin mësimin as nxënësit e klasës së gjashtë por me presion të prindërve, u formua një paralele. Megjithatë zgjidhja ishte e përkohshme pasi nxënësit, nga klasa e shtatë duheshin të ndryshojnë shkollën ose në të kundërtën, të mësonin maqedonisht. Komuna e Gazibabës që në gusht të vitit 2023, ka kërkuar nga Ministria e Transportit të vërtetojë lokacionin, përkatësisht parcelën ndërtimore për ndërtimin e një shkolle fillore tërësisht të re. Megjithatë, që atëherë nga Ministria e Transportit asnjëherë nuk janë përgjigjur./Alsat.mk.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.