Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut

Shkolla periferike “Abdyl Frashëri” në fshatin Sellcë e Keqe, në Komunën e Bogovinës, këtë vit shkollor ka mbyllur dyert me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pasi nuk ka mbetur asnjë nxënës. Rasti i kësaj shkolle është një tj...

shtator 1, 2026 - 23:00
Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut

Shkolla periferike “Abdyl Frashëri” në fshatin Sellcë e Keqe, në Komunën e Bogovinës, këtë vit shkollor ka mbyllur dyert me vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, pasi nuk ka mbetur asnjë nxënës.

Rasti i kësaj shkolle është një tjetër tregues i zbrazjes graduale të vendbanimeve rurale dhe i rënies së numrit të fëmijëve në Maqedoninë e Veriut.

Problemi nuk është i izoluar vetëm në Bogovinë. Vetëm për këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka marrë vendim për mbylljen e 26 shkollave periferike në të gjithë vendin, si pasojë e mungesës së nxënësve, braktisjes së fshatrave dhe rënies së natalitetit.

Ndërkohë, sipas të dhënave të prezantuara nga ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, numri i paraleleve në arsimin fillor është reduktuar për rreth 200, ndërsa në arsimin e mesëm për rreth 100, në kuadër të optimizimit të rrjetit shkollor.

Statistikat tregojnë një trend edhe më shqetësues: gjatë shtatë viteve të fundit, numri i nxënësve në Maqedoninë e Veriut është zvogëluar për rreth 17 mijë. Në një periudhë pesëvjeçare, rreth 30 shkolla në të gjithë vendin janë mbyllur për shkak të mungesës së nxënësve.

Fenomeni prek veçanërisht zonat rurale, ku migrimi i popullsisë aktive dhe rënia e lindjeve krijojnë një zinxhir pasojash: më pak familje, më pak fëmijë, më pak paralele dhe, në fund, mbyllje të shkollave.

Sociologu Driton Zenku: Mbyllja e shkollës është simptomë e zbrazjes së fshatit

Sipas sociologut Driton Zenku, mbyllja e një shkolle nuk duhet parë vetëm si një vendim administrativ për optimizimin e rrjetit arsimor, por si pasojë e një procesi shumë më të thellë shoqëror.

“Kur një shkollë mbyllet sepse nuk ka më asnjë nxënës, në të vërtetë nuk po mbyllet vetëm një institucion arsimor. Ajo është shenjë se një komunitet po humb kapacitetin për ta riprodhuar jetën e vet shoqërore. Shkolla është një nga institucionet kryesore që e mban gjallë një fshat.”

Zenku vlerëson se pas këtij fenomeni qëndrojnë disa faktorë të ndërlidhur: emigrimi, urbanizimi, rënia e natalitetit, pasiguria ekonomike dhe përqendrimi i mundësive të punësimit dhe arsimit në qytete.

“Familjet e reja largohen sepse kërkojnë punë, të ardhura më të mira, arsimim më cilësor dhe kushte më të mira për fëmijët. Por pikërisht kjo krijon një rreth vicioz: sa më shumë largohen familjet e reja, aq më pak fëmijë mbeten në fshat; sa më pak fëmijë të ketë, aq më shumë reduktohen shërbimet publike; dhe sa më shumë reduktohen shërbimet, aq më pak tërheqës bëhet fshati për familjet që kanë mbetur.”

Sipas tij, mbyllja e shkollave mund të ketë edhe efekt të kundërt nga ai që synohet, duke e përshpejtuar zbrazjen e vendbanimeve.

“Nga pikëpamja ekonomike mund të argumentohet se nuk është e arsyeshme të mbahet një shkollë me zero ose vetëm disa nxënës. Por nga pikëpamja sociologjike duhet të shtrohet pyetja tjetër: çfarë ndodh me fshatin pasi mbyllet shkolla? Nëse familjet duhet t’i dërgojnë fëmijët në një vendbanim tjetër, kjo mund të bëhet një arsye shtesë për largim.”

Zenku thekson se fenomeni nuk duhet trajtuar vetëm përmes numrit të shkollave që mbyllen, por përmes politikave të zhvillimit rural dhe demografisë.

“Nëse duam të ruajmë fshatrat, nuk mjafton të ndërtojmë shkolla. Duhet të krijojmë kushte që njerëzit të duan dhe të mund të jetojnë aty: vende pune, infrastrukturë, transport, internet, shërbime shëndetësore, kopshte dhe mbështetje për familjet e reja. Përndryshe, shkolla vetëm e pasqyron krizën, nuk është shkaku i saj.”

Rasti i Sellcës së Keqe, por edhe i fshatrave të tjera që po përballen me të njëjtin fenomen, e shtron kështu një pyetje më të madhe: a po mbyllen shkollat sepse fshatrat po zbrazen, apo me mbylljen e shkollave po përshpejtohet edhe më shumë zbrazja e tyre?

Në të dyja rastet, numri i nxënësve në bankat shkollore po shndërrohet në një prej treguesve më të dukshëm të ndryshimit demografik që po përjeton vendi. Gazeta Flaka

The post Shkollat po mbyllen, fshatrat po zbrazen: alarmi demografik në Maqedoninë e Veriut appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.