Shkon në 1000 numri i intelektualëve që kërkojnë dorëheqjen e Ramës, mes tyre dhe të huaj
Ka arritur në njëmijë numri i intelektualëve që kanë firmosur online një kërkesë publike nga Forumi për Dialog Politik që Edi Rama të japë dorëheqjen. Nga një monitorim i listës që është publike, shihet se tani mes tyre ka dhe të huaj. E ni...
Ka arritur në njëmijë numri i intelektualëve që kanë firmosur online një kërkesë publike nga Forumi për Dialog Politik që Edi Rama të japë dorëheqjen.
Nga një monitorim i listës që është publike, shihet se tani mes tyre ka dhe të huaj.
E nisur si kërkesë nga 140 pedagogë, deklarata u kthye në një listë me mbi 1050 emra brenda 24 orëve dhe në të nuk janë vetëm lektorë, por edhe profesorë, doktorë shkencash, artistë, mjekë psikiatër, inxhinierë, ekonomistë, juristë, arkitektë, agronomë, planifikues urbanë, etj.
Nënshkruesit e deklaratës kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie kujdestare. Po ashtu, ata dënojnë dhunën policore ndaj studentëve dhe protestuesve të tjerë
“I bëjmë thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë kërkesat e studentëve dhe t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit. Kërkojmë dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie kujdestare që të shërbejë për uljen e tensioneve, garantimin e stabilitetit institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve.”, thuhet në peticionin online që vazhdon të firmoset.
Deklarata ka dhe një paralajmërim për policinë: “Mos harroni se ata që ju japin këto urdhra sot, nesër do t’i mohojnë, ndërsa përgjegjësia do të mbetet mbi ju”, thuhet më tej në deklaratë.
Shikoni listën e intelektualëve që kanë nënshkruar deklaratën
5 Pikat e Deklaratës së Akademikëve:
I bëhet thirrje kryeministrit t’i hapë rrugë paqëtimit të vendit duke dhënë dorëheqjen. Kërkohet krijimi i një qeverie kujdestare për të siguruar stabilitetin institucional dhe respektuar vullnetin qytetar.
Policisë së Shtetit dhe trupave të rendit u kërkohet të ndalin menjëherë aktet e dhunës ndaj studentëve dhe të refuzojnë prerazi zbatimin e urdhrave të paligjshëm.
Përfaqësive diplomatike në Tiranë u kërkohet të ndërhyjnë publikisht për të ndalur shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore.
Protestuesve u bëhet thirrje të ruajnë bizneset dhe pronën publike e private, duke i hequr regjimit çdo alibi apo pretekst për të ushtruar dhunë e për të delegjitimuar revoltën.
Qytetarëve të Tiranës u kërkohet t’u dalin në zot të rinjve e të bëhen mburojë ndaj dhunës shtetërore, njëlloj si në ditët historike të rënies së diktaturës.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.