Shkupi shkëlqen në Evropë: Aeroporti Ndërkombëtar shpallet më i miri për përvojën e udhëtarëve
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, i menaxhuar nga TAV Maqedoni, është nderuar zyrtarisht me çmimin prestigjioz ASQ (Airport Service Quality) për vitin 2025, në kategorinë “Përvoja më e këndshme aeroportuale në Evropë”. Çmimi, i cili ndahet ...
Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, i menaxhuar nga TAV Maqedoni, është nderuar zyrtarisht me çmimin prestigjioz ASQ (Airport Service Quality) për vitin 2025, në kategorinë “Përvoja më e këndshme aeroportuale në Evropë”.
Çmimi, i cili ndahet nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve (ACI World), u dorëzua më 2 shtator në Stamboll, gjatë Samitit Global për Përvojën e Udhëtarëve të ACI-së.
Ky është çmimi i 11-të ASQ për Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Vlerësimi bazohet drejtpërdrejt në përshtypjet dhe vlerësimet e udhëtarëve për cilësinë e shërbimeve, përfshirë check-in-in, kontrollet e sigurisë, orientimin dhe sinjalistikën, komoditetin dhe pastërtinë e terminalit, si dhe përvojën e përgjithshme.
“Është një arritje e jashtëzakonshme dhe një krenari e madhe për TAV Maqedoninë. Ky vlerësim ka një rëndësi të veçantë sepse vjen drejtpërdrejt nga udhëtarët tanë dhe pasqyron besimin e tyre në shërbimet që ofrojmë”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt.
Aeroporti i Shkupit u vlerësua së bashku me edhe tre aeroporte të tjera të menaxhuara nga TAV Airports – Ankaraja Esenboğa, Izmiri Adnan Menderes dhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tbilisit.
TAV Airports theksoi se çmimet ASQ janë ndër vlerësimet më prestigjioze në industrinë e aviacionit dhe se rezultatet pasqyrojnë angazhimin për përmirësimin e vazhdueshëm të përvojës së udhëtarëve.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.