Shkurte Fejzësi a kanë fshirë këngën më të dashur për shqipëtarët, zbulohet se kush e ka bërë këtë veprim të turpshëm
Kënga “Mora fjalë”, një prej këngëve më të njohura dhe më të dëgjuara në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve, është hequr nga platformat kryesore online, pas një kontesti lidhur me të drejtat e autorit. Bëhet fjalë për versionin origjinal të ...


Kënga “Mora fjalë”, një prej këngëve më të njohura dhe më të dëgjuara në Kosovë dhe në mesin e shqiptarëve, është hequr nga platformat kryesore online, pas një kontesti lidhur me të drejtat e autorit.
Bëhet fjalë për versionin origjinal të këngës, të interpretuar nga këngëtarja Shkurte Fejza, ndërsa autor i tekstit dhe kompozitor i saj është Naim Gjoshi.
Largimi i këngës nga platformat digjitale ka tërhequr vëmendjen e publikut, duke marrë parasysh popullaritetin që ajo ka gëzuar ndër vite dhe përdorimin e gjerë të saj në aktivitete e ngjarje të ndryshme.
Ka qenë vetë autori Naim Gjoshi ai që, përmes përfaqësuesve të tij ligjorë, ka kërkuar që kënga të largohet nga kanalet zyrtare dhe platformat ku është publikuar pa lejen përkatëse.
Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zyra ligjore “NeëËay Consulting”, e cila përfaqëson autorin në çështjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të tij mbi tekstet dhe kompozimet.
Në deklaratën e bërë publike, zyra ligjore ka sqaruar se çdo vepër e Naim Gjoshit që publikohet apo shpërndahet pa autorizimin e tij në platforma si YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo në platforma të tjera online, konsiderohet përdorim i paautorizuar i veprës.
“Në cilësinë e përfaqësuesit ekskluziv të autorit z. Naim Gjoshi për përfaqësimin dhe mbrojtjen ekskluzive të të drejtave të tij mbi tekstet dhe kompozimet, duam të qartësojmë përdoruesit: Çdo vepër e tij që është publikuar apo shpërndarë pa leje në YouTube, Facebook, Instagram, TikTok apo në çdo platformë tjetër online, të cilat kanë vendosur veprën në dispozicion të publikut kudo në botë, do të trajtohen si përdorim i paautorizuar”, thuhet në konfirmimin e zyrës ligjore.
Sipas përfaqësuesve të autorit, personat apo subjektet që dëshirojnë të vazhdojnë ta përdorin këngën duhet të sigurojnë paraprakisht lejen përkatëse për të drejtat e autorit. Po ashtu, ata duhet të adresojnë edhe përdorimin e mëparshëm të veprës pranë zyrës që përfaqëson Naim Gjoshin.
Nga zyra ligjore është theksuar gjithashtu se fakti që një këngë është e publikuar në internet nuk nënkupton se ajo është pa pronar ose se mund të përdoret lirisht nga kushdo.
Sipas tyre, të drejtat e autorit vazhdojnë të jenë të mbrojtura edhe kur një vepër është bërë e qasshme për publikun përmes platformave digjitale.
“Ata që duan të vazhdojnë ta përdorin veprën duhet të marrin lejen përkatëse të autorit dhe të adresojnë edhe përdorimin e bërë deri tani pranë zyrës ligjore.
Fakti që një këngë gjendet në internet nuk do të thotë se është pa pronar apo e lirë për t’u përdorur”, thuhet më tej në deklaratë.
Largimi i “Mora fjalë” nga platformat online ka një rëndësi të veçantë për publikun shqiptar, duke qenë se kënga është shndërruar ndër vite në një prej krijimeve më të identifikueshme të repertorit muzikor shqiptar.
Ajo është interpretuar e dëgjuar në shumë raste publike dhe është përdorur gjerësisht edhe në rrjetet sociale, ku fragmente të saj janë shpërndarë në forma të ndryshme.
Megjithatë, zyra që përfaqëson Gjoshin ka bërë të qartë se veprimet e ndërmarra nuk kanë për qëllim denigrimin e performuesve, por respektimin e të drejtave të autorit dhe mbrojtjen e veprës së tij.
“Këto veprime të ndërmarra nuk kanë për qëllim denigrimin e performuesve, por vënien në vend të reputacionit dhe respektimin e veprës (Pronës) së autorit z. Naim Gjoshi.
Veprat kanë autor. Të drejtat kanë zotërues. Dhe ato duhet të respektohen”, përfundon deklarata e zyrës ligjore.
Kështu, për momentin, versioni origjinal i “Mora fjalë” mbetet jashtë platformave zyrtare online, ndërsa përdorimi i mëtejshëm i saj lidhet me marrjen e lejeve përkatëse nga autori dhe përfaqësuesit e tij ligjorë.
Rasti rikthen në vëmendje edhe çështjen e respektimit të të drejtave të autorit në epokën digjitale, ku veprat muzikore mund të shpërndahen me shpejtësi në platforma të ndryshme, por kjo nuk ua heq autorëve të drejtat mbi krijimet e tyre./ORAinfo/

Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.