Shpend Suma dhe Mirsad Memeti në mesin e nënoficerëve të avancuar në kuadër të Armatës
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18 Gushtit – Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, komandave dhe njësive të Armatës e shënuan festën me tubime dhe cer...
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 18 Gushtit – Ditës së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, komandave dhe njësive të Armatës e shënuan festën me tubime dhe ceremoni solemne në kazermat në mbarë vendin.
Një nga momentet e rëndësishme të ceremonive ishte avancimi i pjesëtarëve të Armatës në grada më të larta. Në mesin e tyre janë edhe dy nënoficerë shqiptarë, Shpend Suma dhe Mirsad Memeti, të cilët u avancuan në gradën nënoficer i klasës së parë.
Avancimi i dy nënoficerëve shqiptarë përbën një tjetër dëshmi të kontributit dhe përfaqësimit të shqiptarëve në strukturat e Armatës, ku pjesëtarët avancohen në bazë të angazhimit dhe shërbimit të tyre profesional.
Në ceremonitë e Ditës së Armatës u lexuan urdhrat për avancimin e pjesëtarëve, ndërsa për pjesëtarët e Armatës dhe organizatat që kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës u ndanë pllaka, distinktivë, mirënjohje dhe masa të tjera stimuluese.
Me rastin e festës, delegacioni i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes Vllado Misajllovski dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Sashko Lafçiski, së bashku me përfaqësues të familjeve të mbrojtësve të rënë, vendosi lule të freskëta para monumentit kushtuar mbrojtësve të vitit 2001, para Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjatë ditës, delegacione të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Armatës, Kabinetit të Presidentes së Republikës, Kuvendit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera vendosën kurora dhe lule të freskëta edhe në Varrezat Partizane, te varret e ish-presidentëve Boris Trajkovski dhe Kiro Gligorov, si dhe te varri i gjeneralit Mihailo Apostollski.
Aktivitetet për shënimin e Ditës së Armatës u përmbyllën me një takim pune ndërmjet ministrit Misajllovski dhe gjeneralit Lafçiski.
Shpend Suma dhe Mirsad Memeti, me avancimin në gradën nënoficer i klasës së parë, janë kështu në mesin e shqiptarëve që këtë vit shënojnë një hap të ri në karrierën e tyre ushtarake. përcjell Zhurnal.mk .
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.