Politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut duket sikur ka mbetur peng i një gare të pafundme për akuza, kundërakuza, ofendime dhe përplasje mes partive. Çdo ditë një deklaratë, një konferencë për shtyp, një reagim dhe një kundërpërgjigje. BDI akuzon VLEN-in, VLEN-i i përgjigjet BDI-së, ndërsa në këtë garë të lodhshme secila palë përpiqet ta paraqesë tjetrën si fajtoren e të gjitha problemeve.
Por, a nuk keni punë tjetër?
A nuk ka çështje shumë më të rëndësishme për të cilat duhet të angazhoheni? A nuk ka qytetarë që presin zgjidhje, të rinj që kërkojnë perspektivë, familje që përballen me vështirësi ekonomike dhe shqiptarë që presin përfaqësim dinjitoz dhe respektim të të drejtave të tyre?
Shqiptarët nuk kanë nevojë të zgjohen çdo mëngjes për të lexuar se cili politikan e ka fyer tjetrin, kush ia ka kujtuar të kaluarën dhe kush ka publikuar një dokument për ta goditur kundërshtarin politik. Ata kanë nevojë të dinë çfarë po bëhet për jetën e tyre.
Ku është angazhimi për avancimin e përdorimit të gjuhës shqipe? Ku është përfaqësimi i drejtë dhe adekuat? Çfarë po bëhet me punësimin, arsimin, shëndetësinë, zhvillimin ekonomik dhe investimet në vendbanimet shqiptare? Çfarë perspektive po u ofrohet të rinjve që gjithnjë e më shumë e shohin të ardhmen jashtë vendit?
Këto janë pyetjet që duhet t’i shqetësojnë partitë politike shqiptare, jo gara se kush do ta publikojë reagimin më të ashpër apo kush do ta fitojë betejën e radhës në rrjetet sociale.
Nuk është e rëndësishme nëse je në pushtet apo në opozitë. Nuk është e rëndësishme nëse je BDI, VLEN apo pjesë e ndonjë subjekti tjetër politik. Të gjithë ata që kërkojnë votën e shqiptarëve duhet ta kuptojnë se politika nuk është pronë private e partive dhe as arenë për zënka personale.
Nëse jeni në pushtet, tregoni çfarë keni realizuar dhe për çfarë mbani përgjegjësi. Nëse jeni në opozitë, kritikoni, kontrolloni dhe propozoni alternativa konkrete. Por mos e ngatërroni opozitarizmin me fyerjen dhe as qeverisjen me propagandën.
Askush nuk po kërkon që partitë të mos kenë dallime politike. Përkundrazi, demokracia kërkon debat, kritikë dhe ballafaqim. Por ka dallim të madh mes debatit politik dhe një gare të përditshme për të poshtëruar njëri-tjetrin.
Shqiptarët nuk kanë nevojë për politikanë që janë të zotë në konferenca shtypi, por për politikanë që janë të zotë në punë. Nuk kanë nevojë për patriotizëm të deklaruar çdo ditë, por për rezultate që ndihen në jetën e tyre.
Mjaft më me këtë politikë të vogël!
Interesat e qytetarëve duhet të jenë mbi interesat partiake. Sepse në fund, kur mbarojnë konferencat, reagimet dhe fushatat e propagandës, qytetari mbetet përballë të njëjtave probleme.
Dhe një pyetje duhet të mbetet pezull mbi secilin politikan shqiptar:
A po punoni për shqiptarët, apo jeni aq të zënë duke luftuar njëri-tjetrin, saqë keni harruar për kë jeni zgjedhur?
G.I. Editorial për INA.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




