“Shteti duhet të japë llogari” – Sot sërish protestë në Prishtinë, paralajmërohen veprime të reja
Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave do të vazhdojë sot, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Organizatorët kanë njoftuar se qytetarët do të mblidhen sërish për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha ...
Protesta kombëtare kundër vrasjes së grave do të vazhdojë sot, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Organizatorët kanë njoftuar se qytetarët do të mblidhen sërish për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara në Kosovë.
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ata kanë paralajmëruar vazhdimin e protestave dhe bllokimin e institucioneve deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Sot, në orën 16:00, në sheshin Zahir Pajaziti, mblidhemi prapë për të kërkuar drejtësinë që Arlinda na e la amanet dhe drejtësi për të gjitha gratë e vrara”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Ata kanë kërkuar llogaridhënie institucionale, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen protestës.
“Edhe nesër do të dalim rrugëve e do t’i bllokojmë institucionet sepse është momenti i fundit që ky shtet të jap llogari. Dilni nga puna, nga shtëpia e nga klasa e na u bashkoni sërish. Do të vazhdojmë të protestojmë deri kur kërkesat tona të plotësohen”, thuhet në njoftim.
Organizatorët kanë bërë thirrje për organizim dhe solidarizim kombëtar, me qëllim rritjen e sigurisë së grave dhe kërkimin e drejtësisë për viktimat. “Kërkojmë organizim e solidarizim kombëtar. Për siguri e liri për gratë e gjalla, e drejtësi për gratë e vrara”, përfundon njoftimi.
Vazhdimi i protestës vjen pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, rast që ka nxitur reagime publike dhe kërkesa për hetimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse.
Zekaj, para se të vritej, kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar ndërmarrjen e masave urgjente, duke ngritur shqetësime për sigurinë e saj.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.