Shtrenjtohen biletat! Nga Tetova në Shkup për 50 denarë më shtrenjtë, nga Kumanova 30 denarë

Pas rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, ashtu siç u paralajmërua për rritje të çmimeve, nga dje janë rritur edhe çmimet e biletave të autobusëve dhe taksive për transportin ndërurban në vend. Bileta nga Tetova për në Shkup u shtrenj...

shtator 2, 2026 - 10:00
Shtrenjtohen biletat! Nga Tetova në Shkup për 50 denarë më shtrenjtë, nga Kumanova 30 denarë

Pas rritjes së çmimeve të derivateve të naftës, ashtu siç u paralajmërua për rritje të çmimeve, nga dje janë rritur edhe çmimet e biletave të autobusëve dhe taksive për transportin ndërurban në vend. Bileta nga Tetova për në Shkup u shtrenjtua për 50 denarë më ndërsa bileta nga Kumanova për në Shkup për 30 denarë, shkruan Portalb.mk.

Deri para dy ditëve bileta nga Tetova në Shkup kushtonte 200 denarë për një drejtim, ndërsa nga dje ajo kushton 250 denarë. Bileta për dy drejtime tani kushton 500 denarë.

Nga Kumanova për në Shkup deri para dy ditëve bileta kushtonte 170 denarë për një drejtim, ndërsa tani kushton 200 denarë. Bileta për dy drejtime tani kushton 400 denarë.

Nëse një person nga Tetova i cili punon në Shkup dhe merr pagë minimale e cila është rreth 26,000 denarë dhe udhëton çdo ditë për në punë, atij nga paga i shkojnë rreth 11,000 denarë apo 42% e rrogës vetëm për bileta ditore autobusi, vajtje-ardhje (22 ditë pune).

Nëse e përllogarisim se personi është nga Kumanova, kjo shifër shkon në 8,800 denarë, apo 33% e rrogës mujore.

Kjo rritje e çmime ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, veçanërisht te studentët dhe personat që udhëtojnë çdo ditë drejt Shkupit për punë, shkollë apo universitet.

Ata kërkojnë që institucionet të shqyrtojnë arsyet e shtrenjtimit dhe të kontrollojnë nëse tarifat e reja janë në përputhje me rregulloret.

Studentja Esra Shabani për Portalb.mk, u shpreh se shtrenjtimi i biletave e rëndon xhepin e studentëve dhe atyre që punojnë në Shkup dhe duhet të udhëtojnë çdo ditë. Sipas saj, Qeveria duhet të bëj kontrolle më të rrepta dhe të shikojë nëse dikush po abuzon me çmimet.

“Është i nevojshëm intervenimi institucional për të zbutur krizën pasi një rritje e tillë ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë familjare. Qeveria ashtu si më parë duhet të angazhohet për mbrojtjen e konsumatorëve nga keqpërdorimet e mundshme”, tha ajo.

Më tej Esra shtoi se çmimet veç se ishin të larta dhe shtrenjtimi më tutje i këtyre çmimeve nuk është i logjikshëm.

Një tjetër studente, Rrezarta Iseni për Portalb.mk u shpreh se si studente që udhëton çdo ditë nga Kumanova në Shkup, transporti është pjesë e pandashme e përditshmërisë.

“Shtrenjtimi i biletave po e bën këtë përditshmëri edhe më të vështirë. Për një student, çdo shpenzim ka rëndësi, kur duhet të paguash transportin vajtje-ardhje çdo ditë, kostoja grumbullohet dhe në fund të muajit bëhet një barrë e madhe financiare. Shumë studentë nuk kanë mundësi të zgjedhin një alternativë tjetër dhe varen nga transporti ndër-urban për të ndjekur ligjëratat dhe për të përmbushur obligimet në fakultet”, tha ajo.

Shtrenjtimi i biletave, siç tha ajo, i detyron studentët të shpenzojnë më shumë për transport, duke i lënë më pak mundësi për shpenzime të tjera të nevojshme si ushqimi, materialet për fakultet dhe nevojat e përditshme.

Një qytetare nga Kumanova e cila punon në Shkup për Portalb.mk, shprehet e pa kënaqur me rritjen e çmimeve të biletave.

“Kjo rritje e çmimit paraqet një barrë të konsiderueshme për qytetarët që udhëtojnë çdo ditë për në punë, shkollë, fakultet apo për nevoja të tjera. Për shumë familje dhe punëtorë, shpenzimet ditore për transport janë bërë tepër të larta. Kërkojmë që të bëhet një shqyrtim i menjëhershëm i këtij çmimi, të bëhet e ditur arsyeja dhe baza e rritjes së tarifës, si dhe të merren masa për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe udhëtarëve”, u shpreh ajo.

Ndërkohë nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës për Portalb.mk thonë se çmimet në treg, në kushtet e ekonomisë së tregut, formohen në mënyrë të tregut të lirë.

“Kufizimet dhe ndalesat në tregti janë paraparë në nenin 29 të Ligjit për Tregti, ku përcaktohen rastet dhe kushtet në të cilat Qeveria mund të kufizojë përkohësisht ushtrimin e veprimtarisë tregtare. Duke pasur parasysh se asnjë nga këto raste nuk është përmbushur, Ministria e Ekonomisë dhe Punës nuk mund të propozojë masa për parandalimin ose kufizimin e çmimeve të biletave të transportit ndërurban”, shtuan nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës.

Portalb.mk ka dërguar pyetje edhe deri te kompania Rule Turs për të kërkuar sqarime se për çfarë arsyeje është rritur çmimi, por deri në publikimin e këtij shkrimi nuk janë përgjigjur.

Ndryshe, shtrenjtimi i biletave të autobusëve për linjat ndër-urbane së pari filloi në shkurt të vitit 2022 ndërsa që atëherë çmimet janë shtrenjtuar disa herë. Për këtë problem qytetarët dhe studentët janë ankuar vazhdimisht, por kanë hasur në vesh të shurdhër.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.