Shtyhet seanca kryesore e gjykimit për keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore
Seanca kryesore në procesin gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin janë të akuzuar tetë persona, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes. Disa nga avokatët e të akuzuarve deklarua...
Seanca kryesore në procesin gjyqësor për rastin “Lotaria Shtetërore”, në të cilin janë të akuzuar tetë persona, përfshirë ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes.
Disa nga avokatët e të akuzuarve deklaruan para gjykatës se nuk e kanë pranuar aktakuzën, ndërsa nuk u janë vënë në dispozicion as provat e Prokurorisë për shqyrtim.
Gjyqtarja Biljana Shuplinovska-Jolevski sqaroi se materiali provues është voluminoz dhe përmban 231 prova materiale dhe shtatë prova verbale. Për shkak të vëllimit të madh, provat nuk janë dërguar përmes postës, por janë vendosur në kuti në gjykatë, ku mbrojtësit mund t’i marrin dhe t’i shqyrtojnë.
Edhe mbrojtja e të akuzuarit të parë, Përpetim Bajrami, i cili ndodhet në arrati, deklaroi se nuk e ka pranuar aktakuzën. Gjykata njoftoi se aktakuza, së bashku me materialin provues, do t’i dorëzohet mbrojtjes.
Duke qenë se bëhet fjalë për lëndë për të cilën të akuzuarit ndodhen në paraburgim, avokatëve do t’u lihen rreth 10 ditë për t’u njohur me provat. Pas kësaj, seancat pritet të mbahen dy herë në javë.
Në këtë rast janë të akuzuar Përpetim Bajrami, Artan Grubi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Mehmeti, Fatmir Ramafanovski, Aleksandar Dimitrovski dhe Bashkim Avdi. Ata akuzohen për keqpërdorime të lidhura me funksionimin e Lotarisë Shtetërore.
Sipas aktakuzës, veprimet për të cilat ngarkohen të akuzuarit i kanë shkaktuar Lotarisë Shtetërore dëm prej rreth 8,2 milionë eurosh.
Aktakuzën në gjykatë e përfaqësojnë prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup./INA/
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.