Si është e mundur që për tragjedinë me 14 viktimat të “Spitali modular”, sërish “fajtor të jetë kablloja?

Partia VLEN, reagon ashpër ndaj hedhjes poshtë të aktakuzës për rastin e spitalit modular në Tetovë, dhe pyet se si, pas tragjedisë me 14 të vdekur, në fund del se fajtor është “kablloja”?! Hedhja poshtë e qëllimshme e aktakuzës për tragjed...

gusht 21, 2026 - 19:00
Si është e mundur që për tragjedinë me 14 viktimat të “Spitali modular”, sërish “fajtor të jetë kablloja?

Partia VLEN, reagon ashpër ndaj hedhjes poshtë të aktakuzës për rastin e spitalit modular në Tetovë, dhe pyet se si, pas tragjedisë me 14 të vdekur, në fund del se fajtor është “kablloja”?!
Hedhja poshtë e qëllimshme e aktakuzës për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, përbën riviktimizim të 14 viktimave, të dinjitetit të tyre dhe të dhimbjes së familjarëve të tyre, thuhet në reagimin e VLEN-it.
Duke komentuar vendimin për mbylljen e aktakuzës për këtë rast, partia paralajmëron se “kablloja nuk mund të jetë fajtor” për tragjedinë.
“Ali Ahmeti dhe Prokuroria e drejtuar nga Islam Abazi i detyrohen një përgjigje opinionit publik: si është e mundur që, pas 14 jetëve të humbura, në fund të dalë se ‘fajtor’ është kablloja? Ky rast rrezikon të mbetet i shënuar si një nga shembujt më të turpshëm të papërgjegjshmërisë institucionale dhe të drejtësisë së kapur.
Drejtësia nuk duhet të varet nga ndikimi politik, përkatësia partiake apo funksioni i askujt. Kur për një tragjedi me 14 viktima njerëzore nuk ka përgjegjësi të plotë dhe të paanshme, atëherë nuk bëhet fjalë vetëm për dështimin e një aktakuze, por për një humbje të rëndë të të gjithë sistemit të drejtësisë.
Ky epilog skandaloz gjyqësor rëndon mbi udhëheqjen e pareformuar të BDI-së. Kjo udhëheqje edhe një herë tregon se shqiptarët në Maqedoni i përdor si alibi të përsosur për obsesionin e saj me pushtetin – pushtet që për ta nënkupton privilegje, tenderë dhe karrige, e jo përgjegjësi para qytetarëve.
Për BDI-në, siç duket, jetët njerëzore janë vetëm statistikë. Pa shpirt, pa moral dhe pa empati. Por për familjet e viktimave ato janë jetë njerëzore të pazëvendësueshme, ndërsa për të gjithë shoqërinë – detyrim që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend të plotë.
VLEN nuk do të lejojë që tragjedia e Tetovës të harrohet, e as që përgjegjësia të varroset në labirintet e prokurorisë dhe gjykatave. Do të vazhdojmë të kërkojmë hetim të pavarur, përgjegjësi të paanshme dhe drejtësi për secilën prej 14 jetëve të humbura.
Dënimi politik për këtë sjellje antipopullore dhe të papërgjegjshme do të vijë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kurdo që të mbahen.
Shqiptarët po vijnë për drejtësinë e tyre”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.