Si reaguan partitë pas kritikave të BE për ligjin e Speciales?
Kritikat e komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ndaj ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara nxorën në pah qëndrime të ndryshme mes partive parlamentare në Kosovë. Derisa PDK-ja dhe AAK-ja mbrojtën vendimin e ...
Kritikat e komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ndaj ndryshimeve në ligjin për Dhomat e Specializuara nxorën në pah qëndrime të ndryshme mes partive parlamentare në Kosovë.
Derisa PDK-ja dhe AAK-ja mbrojtën vendimin e Kuvendit dhe insistuan se ndryshimet synojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, LVV-ja rikujtoi se kishte pasur rezerva ndaj ndërhyrjes në ligj, pavarësisht se në fund e kishte mbështetur atë.
Nënkryetarja e Kuvendit nga PDK-ja, Vlora Çitaku, tha se mospajtimet me partnerët ndërkombëtarë janë normale dhe se Kosovës i mbetet t’ia sqarojë BE-së se çfarë synon ligji.
“Është normale që ndonjëherë me miqtë të kemi mospajtime”, deklaroi Çitaku.
Ajo kundërshtoi idenë se ndryshimet paraqesin përpjekje të Kosovës për t’iu shmangur drejtësisë.
“Ne nuk po kërkojmë t’i ikim drejtësisë, përkundrazi po synojmë që procesin e devijuar dhe deformuar ta kthejmë në binarë të drejtë”, tha Çitaku.
Sipas saj, dialogu me përfaqësuesit evropianë duhet të vazhdojë për t’ua shpjeguar “thelbin e këtij ligji”, duke shprehur bindjen se në fund mund të arrihet pajtueshmëri.
Qëndrim të ngjashëm për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së shprehu edhe AAK-ja.
Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri, tha se reagimi i Kos ishte vazhdimësi e qëndrimit të mëhershëm të BE-së, por theksoi se kjo nuk e ndryshon pozicionin e partisë së tij.
“Kuvendi ka miratuar një ligj, ne zotohemi që si Kuvend të bëjmë gjithçka që është e mundshme për t’i mbështetur katër çlirimtarët në Hagë”, deklaroi Tahiri.
Ndryshe nga PDK-ja dhe AAK-ja, LVV-ja vuri theksin te rezervat që kishte shprehur qysh gjatë trajtimit të ligjit.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se edhe partia e saj, edhe kryeministri Albin Kurti, kishin ngritur pikëpyetje nëse ndryshimi i ligjit ishte mënyra e duhur për adresimin e çështjes.
“Ne kemi shprehur rezervat tona në raport me adresimin e këtyre çështjeve me projektligj”, tha Nagavci.
Megjithatë, ajo rikujtoi se LVV-ja në fund u kishte dhënë mbështetje deputetëve që konsideronin se ndryshimi i ligjit ishte rruga e duhur.
Nagavci e zhvendosi theksin edhe te faza e ardhshme e procesit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke kërkuar një qasje të koordinuar institucionale.
“Përgatitjet për Apel duhet të adresohen përmes strategjisë shtetërore”, deklaroi ajo.
Reagimet e partive erdhën pasi Marta Kos e cilësoi vendimin e Kuvendit për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara si “të papranueshëm” dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.