Sot 1.460 kandidatë i nënshtrohen maturës shtetërore

Afati i gushtit për provimet eksternë të maturës për kandidatët që nuk e kaluan ose nuk e përfunduan me sukses në qershor do të zhvillohet sot dhe të premten (14 gusht), duke filluar nga ora 09:00. Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të ...

gusht 12, 2026 - 12:30
Sot 1.460 kandidatë i nënshtrohen maturës shtetërore

Afati i gushtit për provimet eksternë të maturës për kandidatët që nuk e kaluan ose nuk e përfunduan me sukses në qershor do të zhvillohet sot dhe të premten (14 gusht), duke filluar nga ora 09:00.

Sipas të dhënave të Qendrës Shtetërore të Provimeve (QShP), në gusht për maturën shtetërore janë regjistruar 1.328 nxënës, për maturën profesionale 126 dhe gjashtë nxënës për maturën artistike.

Kandidatët e regjistruar sot do t’i nënshtrohen provimit të zgjedhur ekstern – matematikë ose gjuhë angleze. Për gjuhët e tjera të huaja – gjermanisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht, të cilat i japin vetëm nxënësit e gjimnazeve – nuk ka kandidatë në gusht. Nuk ka kandidatë as për lëndën histori, e cila është pjesë e maturës artistike. Më 14 gusht do të zhvillohet provimi i detyrueshëm ekstern – gjuha amtare dhe letërsia.

Për shkak të numrit dukshëm më të vogël të kandidatëve në gusht, krahasuar me qershorin, kjo seancë provimesh do të organizohet në katër qytete, në tetë lokacione. Provimet do të zhvillohen sërish në fakultetet Ekonomik, të Ndërtimtarisë dhe Pedagogjik në Shkup, si dhe në fakultete në Tetovë, Prilep dhe Shtip. Nga shkollat e mesme, provimi do të zhvillohet vetëm në sallën sportive të shkollës “Boro Petrushevski” në Shkup, ku do të testohen nxënës nga disa shkolla. QShP ka publikuar në ueb-faqen e saj listën me informacionet për lokacionin ku do të zhvillohet provimi për secilin nxënës.

Mes kandidatëve që do t’i nënshtrohen maturës këtë javë janë edhe 226 maturantë, të cilëve u ishte anuluar provimi në qershor. Një pjesë e tyre u kapën duke kopjuar gjatë provimit, ndërsa për të tjerët u konstatua se kishin kopjuar pas kontrollimit të testeve.

Nota mesatare e maturës në qershor ishte 3,66 për të tre llojet e maturës – shtetërore, profesionale dhe artistike, të cilat këtë vit u zhvilluan për herë të parë në këtë formë. Nota mesatare për maturën shtetërore ishte 3,62, për atë profesionale 3,91, ndërsa për maturën artistike 3,59.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, dhe drejtoresha e QShP-së, Daniela Jovçevska-Mihajlovska, gjatë prezantimit të rezultateve javën e kaluar shprehën kënaqësi që është ruajtur vazhdimësia e suksesit mesatar nga viti i kaluar, kur nota ishte 3,69, krahasuar me 3,26 në vitin 2024.

“Mund të jemi plotësisht të kënaqur dhe shpresoj që këtë rezultat ta ruajmë. Tani duhet vetëm ta mbajmë atë. Nëse është më i lartë, do të jemi jashtëzakonisht të lumtur. Vlerësoj se këto janë rezultate objektive. Shkollat, fakultetet ku u organizuan një pjesë e testeve, testuesit, të cilët ishin rreth 2.500, rreth 200 vëzhgues dhe vlerësuesit ishin të përgatitur mirë”, tha Janevska.

Për seancën e qershorit të vitit shkollor 2025/2026 ishin regjistruar 14.587 nxënës – 12.184 për maturën shtetërore, 2.276 për maturën profesionale dhe 127 për maturën artistike. Në provime nuk u paraqitën 348 kandidatë, përkatësisht 2,39 për qind e të regjistruarve.

Pas publikimit të rezultateve të provimeve eksternë në qershor, u paraqitën 805 ankesa, përkatësisht 2,86 për qind e numrit të përgjithshëm të maturantëve që i dhanë provimet. Për një pjesë të maturantëve ankesat u pranuan, që përbën 0,95 për qind të ankesave të paraqitura. Në shqyrtimin e testeve morën pjesë 133 nxënës.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.