Sot mbahet Marshi për Liri në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

Sot në orën 14:00, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë bëhet pikënisja e “Marshit për Liri”, organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pak ditë para verdiktit t...

shtator 12, 2026 - 10:30
Sot mbahet Marshi për Liri në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit

Sot në orën 14:00, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë bëhet pikënisja e “Marshit për Liri”, organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pak ditë para verdiktit të Gjykatës Speciale në Hagë.

Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, ndërsa në mesin e folësve do të jenë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini.

Në marsh pritet të marrin pjesë qytetarë nga mbarë Kosova, ndërsa organizatorët kanë siguruar edhe transport me autobusë nga qytete të ndryshme.

Mbështetje marshit i ka dhënë edhe Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka deklaruar se do të marshojë “kundër atyre që e themeluan Gjykatën Speciale dhe për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare”.

VV ka kërkuar që ata që e themeluan Specialen t’i kërkojnë falje popullit të Kosovës dhe mbarë kombit shqiptar.

Megjithatë, nga katër partitë kryesore shqiptare, “Liria ka Emër” ka bërë të ditur se vetëm Hamza dhe Gjini i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të mbajtur fjalim.

Në marsh do të ketë edhe fjalime nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta dhe familjarë të dëshmorëve e ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Prishtina sot marshon për lirinë, drejtësinë dhe UÇK-në.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.