Sot protestë gjithëpopullore, policia vjen me një thirrje për pjesëmarrësit

Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar për masat e sigurisë dhe ka bërë thirrje për protestë të qetë dhe respektim të ligjit. Policia...

shtator 18, 2026 - 11:30
Sot protestë gjithëpopullore, policia vjen me një thirrje për pjesëmarrësit

Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa Policia e Kosovës ka njoftuar për masat e sigurisë dhe ka bërë thirrje për protestë të qetë dhe respektim të ligjit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka ndërmarrë të gjitha përgatitjet e nevojshme operacionale për protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të mbahet në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas Policisë, angazhimi i saj do të fokusohet në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, si dhe në garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve dhe qytetarëve.

Policia ka theksuar se e njeh dhe respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, në përputhje me ligjin.

Në kuadër të përgatitjeve, zyrtarët policorë kanë zhvilluar takim me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, me qëllim të koordinimit të masave dhe sigurimit të mbarëvajtjes së protestës.

Policia u ka bërë thirrje pjesëmarrësve që të respektojnë ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, si dhe të tregojnë kujdes dhe maturi gjatë protestës. Gjithashtu, është kërkuar që të mos hidhen gjësende apo mjete të forta dhe të mos përdoren maska.

Për shkak të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë që çojnë drejt shesheve të Prishtinës.

Njësitë policore të trafikut do të angazhohen për riorientimin e qarkullimit në rrugë alternative, në rast se paraqitet nevoja.

Organizatat e dala nga lufta: Vendimi në Hagë është i padrejtë

Protesta është thirrur nga organizatat e dala nga lufta pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Gazmend Syla ka deklaruar se vendimi është i padrejtë dhe se, sipas tij, lufta e UÇK-së nuk mund të barazohet me krimet e kryera gjatë luftës.

“UÇK-ja nuk ishte kurrë ndërmarrje kriminale, ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje”, tha Syla.

Organizatat e dala nga lufta kanë paralajmëruar gjithashtu krijimin e një Këshilli Koordinues Kombëtar dhe një platforme ku do të përfshihen institucionet, partitë parlamentare, shoqëria civile, shqiptarët nga rajoni dhe diaspora.

Ata kanë paralajmëruar gjithashtu hartimin e një strategjie kundërshtuese ndaj vendimit gjatë procesit të apelit.

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dënuar Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim për krime lufte. Vendimi mund të apelohet.


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.