Specialja ia vazhdon paraburgimin Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia kanë vazhduar paraburgimin ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të...


Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ia kanë vazhduar paraburgimin ish-presidentit Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Vendimi është marrë më 30 shtator 2026 nga gjykatësi i vetëm i çështjes, Christopher Gosnell. Sipas Dhomave të Specializuara, gjykatësi konstatoi se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që Thaçi të mund të pengojë ecurinë e procesit ose të kryejë vepra të tjera penale.
Në shqyrtimin e masës së paraburgimit, gjykatësi mori parasysh edhe faktin se Thaçi së fundmi është shpallur fajtor dhe është dënuar në çështjen tjetër gjyqësore për krime lufte. Megjithatë, gjykata theksoi se ky zhvillim nuk e ndryshon nevojën për rishikime periodike të paraburgimit në rastin aktual.
“Gjykatësi mori parasysh gjithashtu edhe shpalljen fajtor dhe dënimin e Thaçit në çështjen gjyqësore KSC-BC-2020-06 kohët e fundit dhe konstatoi se ato nuk e ndryshonin nevojën për rishikime periodike të paraburgimit të tij në çështjen aktuale, që në parim vlerësohet në bazë të faktorëve në lidhje me këtë çështje”, njoftoi Specialja.
Çështja kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit ka të bëjë me akuza për vepra kundër administrimit të drejtësisë. Sipas aktakuzës, Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar në grupe dhe kanë tentuar të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë kryerjen e detyrave zyrtare.
Të pesë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Gjykimi në këtë çështje ka nisur më 27 shkurt 2026, ndërsa deklaratat përfundimtare janë mbajtur më 10, 11 dhe 14 shtator.
Ndaj Thaçit janë ngritur tri akuza për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mospërfillje të gjykatës.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.