Strugë: Gjysma e shkollave periferike do të mbeten të hapura
Komuna e Strugës është tërhequr nga plani fillestar, i cili parashikonte mbylljen e 8 shkollave fillore periferike dhe 4 qendrore, pasi në këtë moment nuk ka klimë për një gjë të tillë. Nga ky shtator do të ndërpresin punën vetëm 4 shkolla ...
Komuna e Strugës është tërhequr nga plani fillestar, i cili parashikonte mbylljen e 8 shkollave fillore periferike dhe 4 qendrore, pasi në këtë moment nuk ka klimë për një gjë të tillë. Nga ky shtator do të ndërpresin punën vetëm 4 shkolla periferike, përkatësisht në fshatrat Poum, Xhepin, Bogoicë dhe Nerez. Për këtë është marrë edhe mendim pozitiv nga Ministria e Arsimit, por ende pritet drita jeshile nga Këshilli i Komunës, në seancën e caktuar për të hënën. Por nga shtatori do të ketë 30 paralele më pak.
“Do të reduktohen 30 paralele në gjithsej 11 shkolla fillore. Do të ketë ulje prej 2 deri në 5 paralele në të gjitha shkollat fillore në Komunën e Strugës. Por asnjë mësimdhënës që ka vendim pune nuk do të mbetet pa punë.” – Sektori për Arsim – Komuna e Strugës.
Ky është proces më se i domosdoshëm, vlerësojnë nga Komuna e Strugës.
“Duhet ta bëjmë atë riorganizim të rrjetit shkollor, sepse kjo është në interes të nxënësve, që të socializohen dhe të mësojnë siç duhet, ndërsa njëkohësisht është në interes edhe të procesit edukativo-arsimor. Ky proces është dashur të fillojë para 20 vitesh. Me zvogëlimin e numrit të nxënësve duhet të zvogëlohet edhe numri i paraleleve. E çfarë bëmë ne? E rritëm numrin e paraleleve, punësuam staf shtesë, dhamë pëlqime dhe në fund arritëm në këtë kolaps financiar.” – Xhemi Hajredini – Komuna e Strugës.
Vetëm Shkolla në fshatin Koroshishtë dikur kishte 615 nxënës, ndërsa sot ky numër është rreth 100. Sipas Zini Jusufit, mësues në pension, numri i përgjithshëm i nxënësve në Strugë është ulur për rreth 60% gjatë viteve të fundit.
“Vijnë nga një, dy, tre, katër prindër, me nga tre-katër nxënës, ndërsa shkollat tona janë boshatisur. Atëherë kishim nga dy klasa të para, nga tre, madje edhe nga katër paralele. Shkollat më të mëdha kishin deri në pesë paralele në klasën e parë, me nga 30 nxënës. Nëse bëjmë krahasim mes të djeshmes dhe të sotmes, vërtet ka rënie të madhe. Nuk e dimë se deri ku do të arrijmë.” – Zini Jusufi – mësues në pension.
I vetmi shpëtim për të dalë nga kjo situatë, thotë Jusufi, është ndalimi i trendit të shpërnguljes jashtë vendit, me çka, sipas tij, do të shpëtohej edhe shteti, edhe shkollat. Në Strugë këtë vit janë regjistruar 30 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar, përkatësisht 470, krahasuar me 500 vitin e kaluar. /Alsat.mk
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.