Sulejmani në Gjevgjeli: Fjalët i zëvendësojmë me rezultate – Çarshia e Vjetër po jeton sërish

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, mori pjesë në hapjen solemne të Çarshisë së Vjetër të rikons...

shtator 5, 2026 - 22:00
Sulejmani në Gjevgjeli: Fjalët i zëvendësojmë me rezultate – Çarshia e Vjetër po jeton sërish

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani, sot, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Transportit, Aleksandar Nikolloski, mori pjesë në hapjen solemne të Çarshisë së Vjetër të rikonstruktuar në Gjevgjeli.

Rikonstruksioni është realizuar me investim prej 41 milionë denarësh. Çarshia e Vjetër, e regjistruar si monument kulture që nga viti 2004, po e rifiton vendin e merituar në jetën kulturore dhe turistike të Gjevgjelisë.

Në kuadër të projektit janë restauruar fasadat e dyqaneve të vjetra, është realizuar shtrim i ri me granit, hapësira është pajisur me pajisje urbane dhe ndriçim, ndërsa është rikonstruktuar tërësisht edhe infrastruktura nëntokësore. Përmes këtyre ndërhyrjeve, Çarshia fiton pamje të re, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin dhe frymën e saj karakteristike.

“Sot, këtu në Çarshinë e Vjetër të Gjevgjelisë, fjalët i zëvendësojmë me rezultate. Detyrimi ynë është ta ruajmë trashëgiminë kulturore, por edhe t’i japim jetë dhe vlerë të re”, theksoi ministri Sulejmani.

Ai nënvizoi se synimi është që vende të tilla të mos mbeten vetëm monumente të së kaluarës, por të shndërrohen në hapësira kulturore të gjalla, të hapura për qytetarët, ngjarjet kulturore dhe vizitorët.

“Çarshia e Vjetër në Gjevgjeli tashmë po shndërrohet në bërthamë bashkëkohore kulturore dhe turistike. Kjo dëshmon se duke investuar në trashëgiminë kulturore, investojmë edhe në zhvillimin e bashkësisë lokale dhe turizmit. Çarshia e Vjetër sot është e rinovuar, por edhe më me rëndësi është se ajo po jeton sërish”, porositi Sulejmani.

Qeveria, Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe bashkësitë lokale do të vazhdojnë me realizimin e projekteve që sjellin rezultate të dukshme dhe e bëjnë trashëgiminë kulturore të gjallë, të qasshme dhe të njohur për brezat e ri.

   


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.