Sulm me molotov ndaj komisariatit në Tiranë, 10 policë të plagosur – Drejtori i Policisë: Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës

Dhjetë punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me bomba molotov, gurë dhe mjete të tjera të forta ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së S...

tetor 18, 2026 - 22:30
Sulm me molotov ndaj komisariatit në Tiranë, 10 policë të plagosur – Drejtori i Policisë: Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës

Dhjetë punonjës të Policisë së Shtetit kanë mbetur të plagosur pas një sulmi me bomba molotov, gurë dhe mjete të tjera të forta ndaj Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Lajmin e ka bërë të ditur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i cili e ka cilësuar ngjarjen si një sulm të rëndë dhe të paprecedentë ndaj institucionit dhe punonjësve të Policisë.

Sipas Hitës, sulmi është kryer gjatë orëve të mbrëmjes nga grupe personash të maskuar, të cilët kanë përdorur bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta.

“Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit”, ka deklaruar Hita.

Ai ka theksuar se policët e plagosur nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave.

Sipas tij, sulmi ka rrezikuar jo vetëm jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe sigurinë e personave të shoqëruar që ndodheshin brenda komisariatit.

“Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë. Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë”, ka deklaruar drejtori i Policisë.

Hita ka bërë të ditur se edhe gjatë ditës janë regjistruar sulme të tjera ndaj efektivëve, ku janë përdorur gurë, lëndë piroteknike, sfera metalike dhe bomba molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa policëve të tjerë.

Ai ka theksuar se prej gjashtë ditësh Policia e Shtetit po përballet me akte të përsëritura dhune gjatë protestave.

Ndërkohë, strukturat policore po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë në sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe dërgimin e provave tek organet e drejtësisë.

“Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private”, ka theksuar Hita.

Drejtori i Policisë u ka bërë thirrje qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore të distancohen nga personat që përdorin dhunën, ndërsa ka kërkuar nga strukturat policore të veprojnë me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe në përputhje me ligjin.

Në fund, Hita ka paralajmëruar se Policia nuk do të tërhiqet përballë sulmeve ndaj institucioneve dhe punonjësve të saj.

“Nuk do të tërhiqemi përballë dhunës dhe nuk do të lejojmë që sulmet ndaj institucioneve të cenojnë përmbushjen e misionit tonë”, ka deklaruar ai.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.