Tabela e re demanton VLEN-in: Shqipja ishte larguar nga vendkalimi në Tabanoc!
Tabela e re e vendosur në vendkalimin kufitar Tabanoc ka nxjerrë në pah një mospërputhje mes pretendimeve të zyrtarëve të VLEN-it dhe gjendjes reale në terren. Pas publikimit të pamjeve të tabelës pa gjuhën shqipe, zëvendësdrejtori i Dog...
Tabela e re e vendosur në vendkalimin kufitar Tabanoc ka nxjerrë në pah një mospërputhje mes pretendimeve të zyrtarëve të VLEN-it dhe gjendjes reale në terren.
Pas publikimit të pamjeve të tabelës pa gjuhën shqipe, zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, kishte reaguar duke publikuar një video ku shihej tabela me mbishkrim edhe në shqip. Pamjet u shpërndanë më pas edhe nga zyrtarë të tjerë të VLEN-it si dëshmi se gjuha shqipe ishte e pranishme në tabelat e pikave kufitare.
Megjithatë, videoja e publikuar i përkiste një periudhe të mëhershme, kur tabela në Tabanoc ishte vendosur edhe në gjuhën shqipe gjatë qeverisjes së BDI-së. Pra, ajo nuk pasqyronte gjendjen e tabelës së re që ishte vendosur së fundmi.
Në tabelën e re, e cila shkaktoi reagime publike, emërtimi ishte në maqedonisht, anglisht dhe frëngjisht, ndërsa shqipja mungonte.
Vetëm pas debatit publik dhe reagimeve politike, tabela është zëvendësuar dhe është përfshirë edhe gjuha shqipe.
Por edhe versioni i ri nuk është pa probleme. Në pjesën shqipe është shkruar “Republikën e Maqedonisë së Veriut”, në vend të formës së saktë “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Kështu, tabela e re në Tabanoc jo vetëm që e riktheu debatin për përdorimin e gjuhës shqipe, por njëkohësisht hedh poshtë pretendimin se shqipja nuk ishte hequr nga tabela e re.
Në vend të një demanti me pamje të vjetra, realiteti në terren u bë i qartë vetëm pas vendosjes së tabelës së re: shqipja kishte munguar dhe u rikthye pas reagimeve publike. Gazeta Flaka
The post Tabela e re demanton VLEN-in: Shqipja ishte larguar nga vendkalimi në Tabanoc! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.