Taravari: Nuk do të lidhet kontratë me “Gjoka Construction”
Nuk do të lidhet kontratë me “Gjoka Construction”, kompaninë nga Shqipëria që duhej të menaxhonte parkingun e Qendrës Klinike, njoftoi sot në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, transmeton Portalb.mk. Ministri tha se janë duke u shqyrtuar dy opsione për menaxhimin e parkingut. “E para është që NP Parkingu i Qytetit të […]


Nuk do të lidhet kontratë me “Gjoka Construction”, kompaninë nga Shqipëria që duhej të menaxhonte parkingun e Qendrës Klinike, njoftoi sot në një konferencë për media ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, transmeton Portalb.mk.
Ministri tha se janë duke u shqyrtuar dy opsione për menaxhimin e parkingut.
“E para është që NP Parkingu i Qytetit të ndërtojë garazhe dykatëshe dhe t’i menaxhojë dhe e dyta është që ta bëjë Shërbimi për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta në Qendrën Klinike”, tha Taravari.
“Gjoka Construction” ishte e vetmja kompani që iu përgjigj thirrjes për partneritet publiko-privat. Nëse nënshkruhej kontrata, kjo kompani obligohej të investojë në garazhe shumëkatëshe, ndërsa parkimi do të kushtonte 50 denarë në vend të 30 denarë për orë, dhe në këmbim do t’i transferojë shtetit vetëm 1 përqind nga të ardhurat vjetore.
Sipas reagimit të LSDM-së, dhënia e parkingut menaxhmentit të “Gjoka Construction”, ku 99% e fitimit do t’i shkojë kompanisë dhe vetëm 1% do t’i mbetet shtetit, tregon qartë se pas kësaj marrëveshjeje fshihet një marrëveshje e dyshimtë.
Gjoka Construction ka vite që fiton tenderë të mëdhenj në Shqipëri. Një prej tyre është ndërtimi i autostradës që duhet të lidhë Dibrën me Tiranën. Krahas ndërtimit, familja Gjoka ka kompani që lidhen me biznesin e energjetikës.
Ministri Taravari fillimisht e shpalli idenë e zgjidhjes së problemit të parkimit përmes partneritetit publik-privat korrikun e kaluar dhe qeveria vendosi në seancën e 20 gushtit të vitit 2024 të formojë një komision që do të shqyrtonte ofertat. Baza për dhënien me koncesion të parkingut të Klinikës është studimi i fizibilitetit i cili fillimisht është zhvilluar në kohën e ministrisë së Nikolla Todorovit dhe më pas është ndryshuar disa herë.
Qeveria fillimisht premtoi ndërtimin e një qendre të re klinike, por së fundmi vendosi ta lërë në pritje idenë dhe të investojë në rritjen e kapaciteteve të spitalit 8 Shtatori.