Një grup të rinjsh shqiptarë nga diaspora kanë vizituar Universitetin e Tetovës, në kuadër të programit ndërkombëtar OriginAL, me qëllim njohjen më të afërt me historinë, trashëgiminë arsimore dhe mundësitë akademike në vendin e origjinës.

Vizita u realizua më 10 nëntor 2026, ndërsa të rinjtë u pritën nga rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, i shoqëruar nga prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti dhe kryetari i Kuvendit Universitar të Studentëve, Gent Kurtishi.

Gjatë takimit, rektori Ahmeti prezantoi rrugëtimin historik të Universitetit të Tetovës, duke u ndalur te sakrificat dhe përpjekjet e gjeneratave shqiptare për të realizuar të drejtën e arsimit të lartë në gjuhën shqipe.

Ai theksoi rëndësinë që brezat e rinj të diasporës ta njohin historinë e këtij institucioni, i cili përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë arsimore dhe kombëtare shqiptare.

Programi i vizitës vazhdoi në Fakultetin Filozofik, ku dekania Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhi dhe prodekania për arsim, Prof. Dr. Fitore Bajrami, prezantuan materiale filmike mbi sfidat, zhvillimin dhe transformimin e universitetit ndër vite.

Ndërsa studentja Nurije Musaj ndau përvojën e saj akademike, duke folur për procesin mësimor, mbështetjen e profesorëve dhe rëndësinë e praktikës profesionale gjatë studimeve.

Të rinjtë nga diaspora patën gjithashtu mundësinë të bashkëbisedojnë me përfaqësuesit e universitetit për programet studimore, veprimtarinë shkencore dhe jetën studentore, si dhe të njihen me funksionimin e institucionit.

Vizita është pjesë e programit OriginAL, një nismë e themeluar në vitin 2022 nga GERMIN dhe Global Albanians Foundation, që synon afrimin e brezave të rinj të diasporës me vendet e origjinës përmes aktiviteteve edukative, kulturore dhe vullnetare.

Në realizimin e kësaj vizite kontribuoi edhe organizata “Loja” nga Tetova, partnere e programit, e cila mbështet iniciativa që lidhin të rinjtë e diasporës me kulturën, trashëgiminë dhe institucionet shqiptare. Gazeta Flaka

The post Të rinjtë shqiptarë të diasporës njihen nga afër me historinë dhe jetën studentore në Universitetin e Tetovës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .

Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.