Telefonat “hanë” para: 9 milionë euro importe për gjashtë muaj
Kosova ka importuar mbi 39 mijë telefona të mençur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa vlera e përgjithshme e këtyre importeve ka arritur në mbi 9 milionë euro. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar–qersh...


Kosova ka importuar mbi 39 mijë telefona të mençur gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ndërsa vlera e përgjithshme e këtyre importeve ka arritur në mbi 9 milionë euro.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar–qershor 2026, në kategorinë tarifore për telefonat e mençur janë importuar gjithsej 39,522 pajisje, me një vlerë të deklaruar prej 9,017,898 eurosh, raporton ORAinfo.
Importi më i lartë është regjistruar në fillim të vitit, me 8,236 telefona të importuar gjatë janarit, ndërsa në shkurt në Kosovë kanë hyrë edhe 6,825 pajisje. Në mars është shënuar numri më i ulët i importeve gjatë kësaj periudhe, me 4,214 telefona, për t’u rritur sërish në prill, kur janë importuar 8,046 pajisje. Gjatë majit janë importuar 6,245 telefona, ndërsa në qershor edhe 5,956 të tjerë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të smartfonëve të importuar në afro 40 mijë vetëm për gjashtë muaj.
Të dhënat e Doganës, megjithatë, nuk e specifikojnë markën e pajisjeve të importuara.
Në bazë të vlerës së deklaruar të importeve, çmimi mesatar i një telefoni të importuar rezulton të jetë rreth 228 euro, megjithëse kjo vlerë nuk paraqet domosdoshmërisht çmimin përfundimtar me të cilin pajisjet janë shitur në tregun e Kosovës. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.