Telma: Si dështoi projekti mbi 7 milionë euro për rindërtimin e ujësjellësit në Gostivar (VIDEO)
Shtatë milionë e 132 mijë euro janë shpenzuar për projektin e rindërtimit të ujësjellësit në Gostivar dhe forsimin institucional të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”. Letra e synimeve e siguruar nga Telma zbulon se komuna kishte kërk...
Shtatë milionë e 132 mijë euro janë shpenzuar për projektin e rindërtimit të ujësjellësit në Gostivar dhe forsimin institucional të Ndërmarrjes Publike Komunale “Komunalec”.
Letra e synimeve e siguruar nga Telma zbulon se komuna kishte kërkuar ndihmë financiare nga Sekretariati Shtetëror Zviceran për Çështje Ekonomike (SECO) dhe Banka Gjermane për Zhvillim, ndërsa një pjesë të mjeteve i kishte siguruar vetë Komuna e Gostivarit që në vitin 2016.
Komuna dhe “Komunalec” ranë dakord të merrnin pjesë në projekt me 682 mijë euro, ndërsa nga SECO u siguruan më shumë se katër milionë e gjysmë euro, kurse banka gjermane mori pjesë me pothuajse 2 milionë euro.
Edhe pse projekti duhej të startonte në vitin 2016, fillimi i tij u shty për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe lokale të vitit 2017, pas së cilës punimet teknike nisën në vitin 2018. Letra u nënshkrua nga kryetari i atëhershëm i komunës, Nevzat Bejta, dhe drejtori i “Komunalec”, Memedali Xhaferi, por projekti u realizua gjatë kohës kur Arben Taravari ishte kryetar komune pas fitores në zgjedhjet e vitit 2017.
Burime nga “Komunalec” njoftojnë për Telma se një pjesë e projektit nuk u realizua kurrë, ndërsa një pjesë tjetër, edhe pse u lëshua në përdorim, nuk funksionoi asnjëherë. Këto ishin të gjitha investimet e planifikuara që duhej të përmirësonin sistemin e furnizimit me ujë, mes të cilave ishte edhe ndërtimi i tri rezervuarëve të ujit në Banjicë, Çegran dhe Zdunjë. Më i madhi prej tyre, ai në Zdunjë me kapacitet prej 6 mijë metrave kub, u lëshua në përdorim në vitin 2024, por sipas të njëjtave burime, për shkak të zhvendosjes së rezervuarit ai nuk funksionoi kurrë pasi u raportuan probleme me mbushjen e tij. Dy rezervuarët e tjerë më të vegjël prej 900 dhe 800 metrave kub nuk u ndërtuan fare, ndonëse një pjesë e tubacioneve që duhej të çonin drejt tyre u lëshuan në punë.
Pikërisht për shkak se projekti është realizuar përgjysmë, zonimi hidraulik dhe menaxhimi i presionit nuk mund të realizoheshin, gjë që rezulton me mungesë të vazhdueshme të ujit dhe presion të wanbarabartë në disa pjesë të komunës, thonë punonjësit e tanishëm të “Komunalec” të cilët janë mirë të njoftuar me punën e sistemit. Ndaj të gjitha pyetjeve lidhur me projektin e financuar nga Ambasada Zvicerane dhe Agjencia SECO, ata u përgjigjën për Telma se shprehin keqardhje të thellë për ngjarjet në Gostivar dhe ngushëllime të sincerta për personat e prekur, duke sqaruar se projekti nisi në dhjetor 2016 dhe përfundoi në dhjetor 2023. Ata theksuan se të gjitha komponentët e financuara nga kontributet e tyre janë përfunduar dhe projekti i është dorëzuar ndërmarrjes publike komunale të Gostivarit, ndërsa nga dhjetori i vitit 2023 nuk janë më të përfshirë në ndërhyrje apo investime sepse operimi dhe mirëmbajtja janë nën kompetencën e ndërmarrjes publike. Sipas informacioneve nga prokuroria, për momentin nuk ka ndonjë hetim për realizimin e projektit, ndërsa gostivarasit përballen vazhdimisht me probleme në furnizimin me ujë që rezultuan edhe me epidemi. Kryeministri Hristijan Mickoski në një deklaratë për mediat tha se ka një mbikëqyrje që duhet të kryejë auditim edhe për këtë projekt, pa saktësuar se për cilin institucion e ka fjalën./TV Telma
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.