Tërhiqet nga tregu “Flips Ketchup”, AUV paralajmëron konsumatorët për alergjenin e qumështit
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit ushqimor “Flips Ketchup”, prodhues PESTOVA L.L.C., për shkak të pranisë së gjurmëve të alergjenit të qumështit, i cili nuk është deklaru...


Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhershme nga tregu të produktit ushqimor “Flips Ketchup”, prodhues PESTOVA L.L.C., për shkak të pranisë së gjurmëve të alergjenit të qumështit, i cili nuk është deklaruar në etiketën e produktit.
Rasti është evidentuar përmes Sistemit Evropian të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), me numër njoftimi 2026.8267. Sipas njoftimit, gjatë një kontrolli zyrtar në Slloveni është marrë mostër e produktit, ndërsa analizat laboratorike kanë konfirmuar praninë e gjurmëve të qumështit.
Sipas vlerësimit të riskut në kuadër të njoftimit RASFF, produkti konsiderohet i pasigurt për konsumatorët që janë të ndjeshëm ose alergjikë ndaj qumështit.
Ad Banner
Pas pranimit të njoftimit, AUV ka nisur procedurat e gjurmueshmërisë për prodhimin dhe shpërndarjen e produktit. Inspektorët kanë kryer kontroll zyrtar te operatori PESTOVA SHPK, ku është konstatuar se produkti ishte ende i pranishëm në stok.
Bëhet fjalë për Lotin FK 04/26, me datë skadimi 11.02.2027. Sipas dokumentacionit të kontrolluar nga AUV, nga ky lot janë prodhuar 20,406 pako, të cilat më pas janë eksportuar në disa vende.
AUV ka urdhëruar operatorin ekonomik që produkti të tërhiqet menjëherë nga tregu dhe ka ndaluar shitjen apo distribuimin e sasisë së mbetur në depo. Gjithashtu, është vendosur masë kufizuese për prodhimin dhe vendosjen në treg të produktit të ri deri në përfundimin e analizave laboratorike për praninë e alergjenëve të qumështit dhe/ose korrigjimin e deklaracionit të produktit.
Pas marrjes së rezultateve laboratorike, AUV do të vendosë për fatin e produktit, bazuar në rezultatet e analizave dhe përputhshmërinë e etiketimit me kërkesat ligjore.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.