Tetova në prag të vendimit për emrat e rinj të rrugëve: Në shtator kalojnë në Qeveri

Java që vjen pritet të sjellë mbledhjen e radhës të Komisionit për Emërimin e Rrugëve në Tetovë, ndërsa deri në shtator lista e propozimeve të përgatitura nga ky trup pritet t’i dorëzohet Qeverisë. Kryetari i komisionit, njëherësh edhe zëve...

gusht 8, 2026 - 22:30
Tetova në prag të vendimit për emrat e rinj të rrugëve: Në shtator kalojnë në Qeveri

Java që vjen pritet të sjellë mbledhjen e radhës të Komisionit për Emërimin e Rrugëve në Tetovë, ndërsa deri në shtator lista e propozimeve të përgatitura nga ky trup pritet t’i dorëzohet Qeverisë.

Kryetari i komisionit, njëherësh edhe zëvendëskryetar i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, sqaron se në mbledhjen e radhës të komisionit do ta kalohen edhe emra të tjerë që të njëjtit, deri në shtator, të kalojnë në Këshill dhe të dorëzohen në Qeveri.

“Besojmë që brenda shtatorit, gjegjësisht në seancën e shtatorit të Këshillit Komunal ta kemi listën përfundimtare të emrave që ta vërtetojmë së pari me votim në Këshill dhe pastaj ta nisim në Qeveri për miratim të dytë”, tha Albi Qamili – kryetar i Komisionit për emërtimin e rrugëve.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh pakënaqësi me procesin. Nënkryetari i degës së BDI-së në Tetovë, Amet Qazimi, thekson se nga 74 emrat e propozuar deri më tani, vetëm një pjesë janë shqiptarë, gjë që sipas tyre nuk pasqyron realitetin etnik të qytetit. Qazimi shton se në këtë listë nuk janë përfshirë as emrat e shfuqizuar më parë nga Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin se Gjykata ka kontestuar procedurën e miratimit dhe jo vetë emrat.

“47% prej tyre janë emra shqiptarë, 24% janë emra maqedonas dhe 29% janë emra ndërkombëtarë apo universalë. Po ashtu, vlen të theksohet nga mbledhja e parë e komisionit, propozimet të cilat u dhanë nga ana e anëtarit tonë të komisionit nuk u pranuan; propozime të cilat i ngërthenin në vete edhe emrat e abroguar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Po ashtu, nuk u pranuan edhe propozimet e tjera të cilat u dhanë edhe nga përfaqësuesit e tjerë të partive të tjera opozitare”, u shpreh Amet Qazimi nga BDI-Tetovë.

Kujtojmë se 14 emra rrugësh në Tetovë u abroguan nga Gjykata Kushtetuese për shkak të mosrespektimit të procedurave ligjore. Prej tre vitesh, Komuna e Tetovës ka ngritur komisionin për riemërtimin e rrugëve, i cili në përbërjen e re të Këshillit Komunal deri më tani ka zhvilluar dy mbledhje./TV21


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.