Ka vazhduar sot procesi gjyqësor ndaj ish-kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, e cila akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me angazhimin e personave përmes kontratave në vepër gjatë kohës sa drejtonte komunën.
Në seancën e sotme janë dëgjuar katër persona të cilët më herët ishin angazhuar me kontrata në vepër në sektorë të ndryshëm të komunës, si dhe tre revizorë të brendshëm të Komunës së Tetovës.
Sipas aktakuzës, e ngritur pas kallëzimit penal të Komunës së Tetovës, Arifi dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit komunal në vlerë prej rreth një milion eurosh, përmes lidhjes së gjithsej 546 kontratave në vepër. Nga këto raste, për 268 persona pretendohet se nuk ka pasur raporte për punën e kryer, ndërsa për 248 të tjerë janë evidentuar raporte të tilla.
Gjatë dëshmisë së tyre, revizorët e brendshëm deklaruan se kontrolli ishte realizuar me kërkesë të kryetarit aktual të komunës, Bilall Kasami, gjatë periudhës janar-mars 2022. Ata gjithashtu konfirmuan se angazhimet ishin bërë drejtpërdrejt nga komuna dhe jo përmes ndonjë agjencie ndërmjetësuese.
Mbrojtja, përmes pyetjeve të kryqëzuara, kërkoi sqarime nëse personat e angazhuar me kontrata në vepër kishin detyrim ligjor të kishin një vend pune të përcaktuar dhe orar të fiksuar pune.
Pas përfundimit të seancës, Teuta Arifi u shpreh se nuk ndihet fajtore dhe kritikoi procesin gjyqësor, duke pretenduar se po vihen në bankën e të akuzuarve edhe qytetarë që kanë kryer punë për komunën.
“Është kallëzim penal nga ana e kreut aktual të komunës dhe i dëgjuat dëshmitarët që treguan se kanë shkuar, kanë qenë në vend të punës. Është e ulët, e turpshme që qytetarët e këtij qyteti që kanë bërë një punë, cila qoftë ajo, t’i marrin dhe t’i tërheqin gjyqeve për t’iu marrë deklarata nëpër gjykata”, deklaroi Arifi.
Ajo mohoi se ka vepruar me qëllim të keq, duke theksuar se gjatë mandatit të saj ka synuar të jetë në shërbim të qytetarëve.
“Nuk është problem, unë nuk kam bërë asnjë gabim me tendencë. Kam tentuar gjithnjë të jem ndihmesë e qytetarit tim. Do ta ndiqni procesin dhe besoj se autoritetet gjyqësore do të kenë integritetin të vendosin si duhet për çdo qytetar të këtij shteti”, u shpreh ish-kryetarja e Tetovës.
Seancën e radhës, gjykatësi i lëndës, Rexhep Musa, e caktoi për 1 dhjetor, në orën 10:00. Në këtë seancë pritet të prezantohen provat materiale, si dhe të dëgjohen një dëshmitar dhe një ekspert.
The post Teuta Arifi në gjykatë për 546 kontratat në vepër, dëshmojnë revizorët e komunës appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




