Thaçi nga Haga pas dënimit: Faleminderit për mbështetjen, qëndroni të qetë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe mbështetësit e tij ndërkombëtarë për përkrahjen pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Përmes avokatit të tij, Luka Misetic, Thaçi ka sh...

shtator 17, 2026 - 20:30
Thaçi nga Haga pas dënimit: Faleminderit për mbështetjen, qëndroni të qetë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka falënderuar qytetarët e Kosovës dhe mbështetësit e tij ndërkombëtarë për përkrahjen pas aktgjykimit të shpallur nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Përmes avokatit të tij, Luka Misetic, Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që, sipas tij, ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe jashtë saj.

Në deklaratën e publikuar nga Misetic në rrjetin social X, Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të qëndrojnë të qetë pas aktgjykimit.

“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai dhe Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe ndërkombëtarisht, dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës të qëndrojnë të qetë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, thuhet në deklaratë.

Avokati ka bërë të ditur se mbrojtja e Thaçit do ta apelojë aktgjykimin e shkallës së parë në Panelin e Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Sipas mbrojtjes, ankesa do të kundërshtojë një sërë çështjesh ligjore, faktike dhe procedurale, për të cilat avokatët pretendojnë se kanë ndikuar në drejtësinë e procesit.

Mbrojtja ka ngritur pretendime edhe për mënyrën e zhvillimit të procesit gjyqësor, duke thënë se ndërhyrjet dhe pyetjet e drejtpërdrejta të anëtarëve të trupit gjykues kanë krijuar, sipas tyre, shqetësime lidhur me paanshmërinë.

Avokati Misetic ka pretenduar gjithashtu se vendimi përmban gjetje fajësie të mbështetura në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara.

Në deklaratë përmendet edhe rasti i vrasjes së Behajdin Allaqit, për të cilin mbrojtja pretendon se trupi gjykues e ka lidhur Thaçin me këtë vrasje, ndërkohë që provat për këtë rast ishin mbajtur konfidenciale gjatë procesit.

Thaçi, përmes mbrojtjes së tij, ka mohuar shprehimisht çdo përfshirje në vrasje.

“Thaçi e mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Misetic.

Mbrojtja ka paralajmëruar se do ta dorëzojë zyrtarisht njoftimin për apelim, duke kërkuar që Paneli i Apelit të shqyrtojë, siç pretendojnë avokatët, gabimet faktike, ligjore dhe procedurale të evidentuara në aktgjykimin e shkallës së parë.


Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.