Thaçi: S’ka barazi, pa autonomi!
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, i ftuar në emisionin i Sefer Tahirit “Dialog te Lajmi” ka theksuar domosdoshmërinë e një riorganizimi të thellë të sistemit shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj intervi...
Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi, i ftuar në emisionin i Sefer Tahirit “Dialog te Lajmi” ka theksuar domosdoshmërinë e një riorganizimi të thellë të sistemit shtetëror në Maqedoninë e Veriut. Gjatë kësaj interviste, Thaçi u shpreh i prerë se shqiptarët nuk mund të arrijnë barazinë e plotë pa një autonomi politiko-territoriale.
Duke folur për vizionin e tij mbi këtë koncept, kreu i PDSH-së theksoi se është i hapur për bisedime si me palën maqedonase, ashtu edhe me bashkësinë ndërkombëtare, për të gjetur modelin e duhur funksional. Ai hodhi në tryezë idenë e një parlamenti me dy dhoma dhe ndarjen e funksioneve më të larta shtetërore me vendimmarrje të pastër konsensuale.
“Si do të jetë kjo autonomi politiko-territoriale? Jam i gatshëm që të hyj në bisedime dhe dialog edhe me faktorin e brendshëm maqedonas, por edhe atë ndërkombëtar. A do të jetë parlament dy dhomash? A do të jetë vendimmarrje konsensuale për president, zëvendëspresident, kryeministër, zëvendëskryeministër? Unë mendoj se vetëm kjo është rruga e cila na bën të qetë neve, i bën të qetë maqedonasit dhe krijon sistemin e ri të shtetit i cili garanton përparim dhe ecje përpara,” deklaroi Thaçi.
Më tej, ai kritikoi ashpër funksionimin e sistemit të tanishëm politik, duke e konsideruar si një metodë të vjetruar të “bashkim-vëllazërimit” që po i përçan shqiptarët. Sipas tij, lufta e partive politike shqiptare vetëm për të hyrë në qeveri e ka humbur tërësisht kuptimin.
“Përndryshe, kjo metoda tjetër e bashkim-vëllazërimit, e integrimit e kështu me radhë, është duke u konsumuar. Njerëzit po bëhen copa mes veti kot e kot, ne shqiptarët. Pse? Sepse tash i gjithë kuptimi i organizimit dhe i betejës politike është reduktuar në atë se në çfarë mënyre të mbërrijmë te qeverisja. Dhe besomëni, sipas meje, kjo nuk ka më asnjë kuptim,” përfundoi kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi në emisionin i Sefer Tahirit “Dialog te Lajmi”.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.