“The Independent”: Rusia mund të sulmojë me dronë Francën, Spanjën dhe Italinë
CIA ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet të kryejë sulme me dronë në Europë, duke vënë në shënjestër nga deti Francën, Spanjën dhe Italinë, ka raportuar të enjten (24.09.2026) gazeta britanike, “The Independent”, duke iu referuar një dok...
CIA ka paralajmëruar se Rusia po përgatitet të kryejë sulme me dronë në Europë, duke vënë në shënjestër nga deti Francën, Spanjën dhe Italinë, ka raportuar të enjten (24.09.2026) gazeta britanike, “The Independent”, duke iu referuar një dokumenti.
Disa qeverive europiane u është përcjellë informacioni mbi planet e supozuara të Kremlinit për ta përshkallëzuar ndërhyrjen në kontinent, ka theksuar një burim anonim pranë Ministrisë së Mbrojtjes së Lituanisë për gazetën spanjolle, “El Mundo”.
Autoritetet lituane besojnë se Rusia mund ta përdorë dronin “Gerbera”, të mbushur me eksploziv, të lëshuar nga deti, që të shkaktojë zjarr, të dëmtojë pajisje të pambrojtura ose të mbyllë përkohësisht një port apo aeroport, thuhet në raport.
Një provokim i tillë do të pasonte një sërë inkursionesh të raportuara dhe aktesh të dyshuara sabotimi në krejt Europën Lindore, për të cilat fajësohet Rusia. Deri më tani, këto sulme nuk e kanë kaluar pragun e një konflikti të drejtpërdrejtë ushtarak.
Spanja, Franca dhe Italia mund të bëhen caqe të sulmeve të ardhshme, pasi të tria kanë fushata ose zgjedhje të planifikuara për vitin e ardhshëm, sugjeron raporti, duke vënë në dukje praninë e “forcave radikale” brenda kufijve të tyre që mund të shfrytëzojnë lodhjen e opinionit publik lidhur me çështjen e Ukrainës.
Droni “Gerbera” mban ngarkesë prej rreth katër deri në pesë kilogramësh dhe mund të përshkojë një distancë deri në 600 kilometra, duke fluturuar me një shpejtësi prej rreth 160 kilometrash në orë.
Thuhet se Lituania mësoi për këto plane pas vizitës së drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë në fundgusht. Burime diplomatike nga një vend baltik i thanë gazetës “El Mundo” se më vonë ishin informuar për vizitën.
Disa analistë të mbrojtjes, emrat e të cilëve nuk u bënë të ditur, i kanë thënë gazetës se janë në dijeni të raporti të CIA-s që po qarkullon mes ministrive të jashtme europiane, e në të cilin përshkruhet një sulm i mundshëm.
“The Independent” nuk ka mundur ta verifikonte ekzistencën e raportit të tillë dhe i kërkoi CIA-s koment, por nuk mori përgjigje.
Më herët gjatë javës, Ratcliffe u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në aeroportin Shannon në Irlandë, raportoi agjencia Reuters, duke cituar dy persona të informuara me çështjen, të cilët nuk pranuan të zbulonin detaje të bisedës së tyre.
Duke folur në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork të mërkurën, ministri i Jashtëm lituan, Kestutis Budrys, i tha Reutersit se shërbimet e inteligjencës së aleatëve tregonin për një rrezik që Rusia të përpiqej të zgjeronte presionin ndaj vendeve të NATO-s përmes sulmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe formave të tjera të veprimtarisë hibride.
Veç kësaj, shërbimi danez i inteligjencës së mbrojtjes deklaroi në një vlerësim të ri të kërcënimeve, të publikuar të enjten, se pret gjithashtu që gjatë muajve të ardhshëm Rusia ta përshkallëzojë luftën e saj hibride.
The post “The Independent”: Rusia mund të sulmojë me dronë Francën, Spanjën dhe Italinë appeared first on InfoShqip.com.
Burimi i lajmit: infoshqip.com
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.