Thirrja për pu’shkatimin e Haradinajt, Gjini: Produkt i një propagande mbi dhjetëvjeçare, Prokuroria të reagojë urgjentisht
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas thirrjes së bërë sot nga një mërgimtar për pushkatimin e ish-kryeministrit dhe deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Gjini ka dënuar deklaratën, duke thënë se thirrjet për vëllavrasje brend...


Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas thirrjes së bërë sot nga një mërgimtar për pushkatimin e ish-kryeministrit dhe deputetit të AAK-së, Ramush Haradinaj.
Gjini ka dënuar deklaratën, duke thënë se thirrjet për vëllavrasje brenda Kuvendit të Kosovës nuk janë të rastësishme, por sipas tij, janë rezultat i një propagande që është zhvilluar për më shumë se një dekadë.
“Deklarata e sotme monstruoze kundër Ramush Haradinajt është thjesht manifestimi i asaj që u mboll, u ushqye dhe u ujit me vite të tëra si narrativë antikombëtare, para së cilës arkitektët e saj sot heshtën në sallë”, ka shkruar Gjini.
Ai ka kërkuar reagim urgjent nga Prokuroria e Shtetit, duke e cilësuar rastin si një instrumentalizim të rrezikshëm.
“Thirrjet vëllavrasëse në shtëpinë e ligjit nuk janë të rastësishme; ato janë produkti i saktë i një platforme mbi dhjetëvjeçare propaganduese”, ka deklaruar Gjini.
Sipas tij, deklarata ndaj Haradinajt nuk përfaqëson mërgatën shqiptare, por është rezultat i asaj që e ka quajtur “inxhinieri të mbrapshtë politike”.
“Ky instrumentalizim i rrezikshëm nuk përfaqëson mërgatën tonë patriotike, por rezultatin e një inxhinierie të mbrapshtë politike, ku Prokuroria e Shtetit duhet të ndërhyjë urgjentisht”, ka shkruar ai.
Gjini ka thënë se Haradinaj nuk mund të gjykohet vetëm përmes deklaratave të tilla, duke theksuar se historia dhe populli janë dëshmitarë të rrugëtimit të tij.
“Ramush Haradinajn mund ta shihni vetëm nga larg, sepse atë e mbron historia, populli dhe ai vetveten, duke qenë më i zoti se cilido prej jush”, ka shkruar Gjini.
Në fund, ai ka thënë se personat që nxisin gjuhë të tilla, bashkë me nxitësit e tyre, sipas tij, do të mbeten “në plehun e harresës”.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.