Toshkovski paralajmëron kamera mobile në veturat policore: Shoferët nuk do ta dinë ku po kontrollohen
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut planifikon ta zgjerojë sistemin “Safe City” edhe me kamera mobile, të cilat do të vendosen në automjetet policore, përfshirë edhe veturat civile. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe T...
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut planifikon ta zgjerojë sistemin “Safe City” edhe me kamera mobile, të cilat do të vendosen në automjetet policore, përfshirë edhe veturat civile.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, bëri të ditur se një numër i madh i automjeteve të MPB-së do të pajisen me pajisje që do të regjistrojnë automatikisht kundërvajtjet në trafik, veçanërisht tejkalimin e shpejtësisë së lejuar.
Sipas Toshkovskit, kjo masë synon të parandalojë praktikën e shoferëve që të respektojnë rregullat vetëm në lokacionet ku e dinë se janë vendosur kamerat e sistemit “Safe City”, ndërsa në pjesët e tjera të rrugëve të mos i përmbahen kufizimeve të shpejtësisë.
“Ne tashmë i kemi mësuar se ku janë kamerat dhe e dimë se aty ku ka kamera vozisim siç duhet, ndërsa aty ku nuk ka kamera, përsëri kemi një mënyrë tjetër të drejtimit të automjetit. Në të ardhmen, një numër i madh i automjeteve policore, përfshirë edhe ato civile, do të pajisen me pajisje përmes të cilave do të mund të konstatohen disa kundërvajtje”, deklaroi Toshkovski.
Ai sqaroi se kundërvajtjet e regjistruara nga automjetet policore do të evidentohen drejtpërdrejt në sistemin elektronik.
“Shoferët nuk do të mund të parashikojnë më se ku do të jenë automjetet policore, ndërsa ato do të mund të konstatojnë kundërvajtjet, të cilat drejtpërdrejt do të regjistrohen në sistemin digjital”, tha ministri.
Toshkovski nuk bëri të ditur se sa automjete policore do të pajisen me këto pajisje dhe as kur pritet të nisë zbatimi i tyre. Megjithatë, sipas tij, kontrolli mobil synon të rrisë disiplinën dhe sigurinë në komunikacion, edhe në rrugët ku nuk ka kamera fikse.
Përcjell INA.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.