Transportuesit paralajmëruan protesta, ministri Nikolloski: Kemi marrëveshje me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë!

Qeveria dhe Ministria e Transportit vazhdojnë të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballen transportuesit nga Maqedonia për shkak të zbatimit të sistemit “EES” (Entry/Exit System) në Bashkimin Evropian, deklaroi s...

gusht 14, 2026 - 14:30
Transportuesit paralajmëruan protesta, ministri Nikolloski: Kemi marrëveshje me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë!

Qeveria dhe Ministria e Transportit vazhdojnë të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve për problemet me të cilat përballen transportuesit nga Maqedonia për shkak të zbatimit të sistemit “EES” (Entry/Exit System) në Bashkimin Evropian, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Lidhur me paralajmërimet e disa transportuesve për protesta të mundshme nëse deri më 1 shtator nuk gjendet një zgjidhje, Nikolloski tha se Qeveria ka komunikim të rregullt me shoqatat e transportuesve dhe se po kërkohen zgjidhje konkrete përmes bashkëpunimit bilateral me vendet e zonës Shengen. Sipas tij, protesta është një zgjidhje politike e një shteti fqinj.

“Ne kemi takime të rregullta, nëse jo çdo javë, atëherë çdo dy javë. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer. Kjo çështje është një nga qindra çështjet që po i zgjidhim. Sa i përket problemit që u krijua me futjen e sistemit ‘Entry/Exit’ të Bashkimit Evropian, ne po bëjmë maksimumin tonë dhe transportuesit kanë mbështetjen e plotë”, theksoi Nikolloski.

Ai tha se çështja është në kompetencë të Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen, por shtoi se shteti po ndërmerr hapa për tejkalimin e pasojave përmes lidhjes së marrëveshjeve bilaterale me vende të veçanta. Ai informoi se Maqedonia tashmë ka marrëveshje të tilla me Kroacinë, Zvicrën dhe Rumaninë, ndërsa intensivisht po punohet për marrëveshje me Austrinë, Hungarinë dhe Gjermaninë.

“Pres që gjatë tetorit të fillojmë bisedimet edhe me Slloveninë dhe në këtë mënyrë të mbulohen vendet ku transportuesit tanë operojnë ose tranzitojnë më së shumti”, informoi Nikolloski.

Sa i përket protestave të paralajmëruara, ministri theksoi se nuk i konsideron ato zgjidhjen më të mirë.
“Mendoj se është më konstruktive të gjejmë zgjidhje dhe nuk mendoj se protestat janë zgjidhja. Sigurisht, ato janë forma e fundit, por ne gjatë periudhës së kaluar kemi gjetur zgjidhje dhe do të vazhdojmë t’i gjejmë”, theksoi Nikolloski.

Ai shtoi se ka përshtypjen se pas disa presioneve lidhur me këtë çështje qëndrojnë edhe motive politike nga vendet fqinje.

“Ajo që kam krijuar si përshtypje është se një shtet fqinj po ushtron presion për këtë çështje, para së gjithash për arsye politike. Le t’i zgjidhin problemet e tyre. Ne kemi qasje individuale dhe do t’i zgjidhim problemet ashtu siç mendojmë se është më së miri”, tha ministri.

Nikolloski tha se nuk pajtohet me qasjen që problemet e vendeve të rajonit të trajtohen kolektivisht nën etiketën “Ballkani Perëndimor”, duke theksuar se Maqedonia duhet t’i përfaqësojë në mënyrë të pavarur interesat e saj.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.