Tre të akuzuarit për rastin Banjska u sollën në gjykatë nën masa të rrepta sigurie
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të tre akuzuarit në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, janë sjellë në sallën e gjykimit. Seanca e së hënës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“. Në këtë seancë do të dëgjohet i dëmtuari-dëshmitari Alban Rashiti. Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë të tre akuzuarit në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, janë sjellë në sallën e gjykimit.
Seanca e së hënës pritet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Në këtë seancë do të dëgjohet i dëmtuari-dëshmitari Alban Rashiti.
Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.
Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.
Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.
Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.
Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile.
Kurse, kreu i këtij grupit terrorist të strukturuar, Milan Radoiçiq ngarkohet se nga viti 2017 e deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura në mënyrë të tërthortë, e këto para i ka konvertuar në pasuri të paluajtshme dhe të luajtshme, ku një pjesë të pasurive të paluajtshme e ka transferuar dhe tek personat e tretë, me qëllim të fshehjes ose maskimit të burimit të pasurisë.
45 të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpërarja e parave”.
