LSDM kërkon hetim për Mickoskin dhe guvernatorin Sllaveski lidhur me hyrjen e Alta Bankës në vend. VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet duke rikthyer në vëmendje transaksionet prej 1.6 miliardë eurosh përmes Eurostandard Bankës gjatë qeverisjes së Zaevit dhe Filipçes.
Rasti i Alta Bankës ka hapur një front të ri përplasjesh politike në Maqedoninë e Veriut, ku LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja po shkëmbejnë akuza të rënda për korrupsion, transaksione financiare dhe lidhje të dyshimta mes politikës dhe biznesit.
LSDM-ja i ka kërkuar prokurorit publik, Savëski, të nisë hetim gjithëpërfshirës për hyrjen e Alta Bankës në tregun maqedonas, duke përfshirë origjinën e kapitalit, vendimet institucionale dhe personat që kanë mundësuar këtë proces.
Opozita kërkon që hetimi të përfshijë kryeministrin Hristijan Mickoski dhe guvernatorin e Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, si dhe të sqarojë se çfarë është diskutuar dhe dakorduar me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe Macurën.
“Prokurori nuk duhet të presë telefonatë. As urdhër nga foltorja e Kuvendit apo nga televizioni. Pikërisht kjo sjellje e gërryen pavarësinë e gjyqësorit dhe e rrënon plotësisht besimin e qytetarëve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia kërkon sigurimin e menjëhershëm të llogarive, transaksioneve dhe dokumentacionit të Alta Bankës, duke insistuar që hetimet të përfundojnë para çdo transferimi të mundshëm të pronësisë. Sipas saj, një shitje e mundshme e bankës nuk duhet të shërbejë për të fshehur gjurmët apo për të shmangur përgjegjësinë.
VMRO rikthen Eurostandard Bankën dhe 1.6 miliardë eurot
Përgjigjja e VMRO-DPMNE-së nuk u përqendrua në sqarimin e drejtpërdrejtë të akuzave për Alta Bankën, por në rikthimin e një çështjeje tjetër financiare, që lidhet me periudhën e qeverisjes së LSDM-së.
Partia në pushtet pretendon se përmes Eurostandard Bankës, gjatë qeverisjes së Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes, janë transferuar dhe “pastruar” para me origjinë nga Venezuela. Sipas VMRO-DPMNE-së, kësti i parë i transaksioneve kishte arritur në 110 milionë euro, ndërsa vlera e përgjithshme e mjeteve që planifikohej të kalonin përmes bankës arrinte në 1.6 miliardë euro.
Në reagim përmendet edhe një kompani maqedonase që kishte blerë pleh artificial nga një kompani bjelloruse, ndërsa paratë, sipas VMRO-së, ishin transferuar në një llogari në Serbi dhe më pas ishin ngrirë me kërkesë të prokurorisë.
VMRO-DPMNE ngre gjithashtu pretendime për kredi shumë milionëshe të Eurostandard Bankës ndaj kompanive që, sipas saj, kishin lidhje me familjen Zaev dhe partnerët e saj afaristë. Në këtë kontekst përmenden “Sara Inzhenering”, “Global Media Group” dhe “Triterol”.
“Këta shembuj mjaftojnë për të treguar se burimi i kriminalitetit, korrupsionit dhe arrogancës në Maqedoni janë LSDM-ja, Venko Filipçe dhe Zoran Zaev”, thuhet në reagimin e partisë në pushtet.
Korrupsioni si armë politike
Përplasja rreth Alta Bankës po shndërrohet në një betejë politike ku dy partitë më të mëdha maqedonase përpiqen t’ia atribuojnë njëra-tjetrës përgjegjësinë për aferat financiare dhe lidhjet e dyshimta me biznesin.
LSDM kërkon hetim për vendimet e pushtetit aktual, ndërsa VMRO-DPMNE kundërpërgjigjet me akuza për periudhën kur vetë ishte në opozitë. Në këtë shkëmbim akuzash, qytetarët mbeten përballë një pyetjeje thelbësore: nëse ekzistojnë dyshime për keqpërdorime financiare, pse përgjegjësia nuk përcaktohet përmes hetimeve të pavarura dhe vendimeve gjyqësore?
Në fund, as akuzat e LSDM-së për Alta Bankën dhe as pretendimet e VMRO-DPMNE-së për Eurostandard Bankën nuk mund të trajtohen si fakte të vërtetuara pa prova dhe konstatime institucionale.
Një gjë, megjithatë, bëhet gjithnjë e më e qartë: kur partitë që kanë qeverisur dhe qeverisin vendin akuzojnë njëra-tjetrën për afera miliardëshe, besimi i qytetarëve te politika dhe institucionet vazhdon të vihet në pikëpyetje. Gazeta Flaka
The post Tregojnë vetë: korrupsioni masiv, me sa duket, nuk paska qenë as te BDI-ja dhe as te VLEN-i, por te VMRO-DPMNE-ja dhe LSDM-ja! appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.




