Tregu i Kosovës ‘pushtohet’ nga veturat elektrike kineze, për 7 muaj u importuan vetura në vlerë prej mbi 10 milionë euro
702 vetura tërësisht elektrike janë importuar në Kosovë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre kanë origjinë nga Kina. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar–korrik 2026, nga gjithsej 70...


702 vetura tërësisht elektrike janë importuar në Kosovë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, ndërsa pjesa dërrmuese e tyre kanë origjinë nga Kina.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar–korrik 2026, nga gjithsej 702 vetura elektrike të importuara, 598 prej tyre kanë origjinë nga Kina. Pas saj renditet Gjermania me 49 vetura, ndërsa 30 vetura kanë origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan ORAinfo.
Në total, vlera e deklaruar e mallrave për veturat tërësisht elektrike të importuara gjatë kësaj periudhe ka arritur në rreth 10.45 milionë euro.
Importi i veturave elektrike nuk ka pasur ritëm të njëjtë gjatë gjithë vitit. Shifrat nga importi tregojnë një rritje të vazhdueshme nga fillimi i vitit deri në maj, muaj në të cilin është regjistruar edhe numri më i madh i importeve.
Në janar u importuan 27 vetura elektrike, ndërsa në shkurt numri u rrit në 82. Tendenca e rritjes vazhdoi edhe në mars, me 99 vetura, dhe në prill, kur në Kosovë hynë 150 vetura tërësisht elektrike.
Kulmi i importeve u regjistrua në maj, me gjithsej 165 vetura elektrike, duke e bërë këtë muajin me numrin më të lartë të importeve gjatë shtatëmujorit.
Pas majit, megjithatë, importet nisën të bien. Në qershor u importuan 111 vetura elektrike, ndërsa në korrik numri ra në 68, shkruan ORAinfo.
Më shumë të përdorura se të reja
Të dhënat tregojnë gjithashtu se në Kosovë gjatë janar–korrikut janë importuar 368 vetura elektrike të përdorura, krahasuar me 334 vetura të reja.
Kjo do të thotë se veturat e përdorura përbëjnë një pjesë pak më të madhe të totalit të importeve elektrike.
Në përgjithësi, shifrat e shtatëmujorit tregojnë një rritje të ndjeshme të interesimit për automjetet tërësisht elektrike në fillim të vitit, me importet që arritën kulmin në maj, përpara se të shënonin rënie gjatë dy muajve pasues.
Me 702 vetura tërësisht elektrike të importuara për vetëm shtatë muaj, të dhënat e Doganës japin një pasqyrë të qartë të zhvillimit të tregut të automjeteve elektrike në Kosovë gjatë vitit 2026. /ORAinfo/
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.