Trondit CIA: Rusia planifikon të sulmojë me dronë tre shtete të Evropës
Sipas të përditshmes spanjolle El Mundo, shërbimet sekrete ruse po planifikojnë operacione me dronë kundër Italisë, Francës dhe Spanjës. Gazeta shkruan se një dosje mbi këto plane i është dorëzuar shërbimeve inteligjente të tre vendeve nga ...
Sipas të përditshmes spanjolle El Mundo, shërbimet sekrete ruse po planifikojnë operacione me dronë kundër Italisë, Francës dhe Spanjës. Gazeta shkruan se një dosje mbi këto plane i është dorëzuar shërbimeve inteligjente të tre vendeve nga drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, dhe aktualisht po shqyrtohet nga qeveritë e Romës, Parisit dhe Madridit.
Sipas skenarit të paraqitur, dronët Gerbera mund të lëshohen nga anije tregtare që lundrojnë në Mesdhe. Bëhet fjalë për dronë me rreze veprimi deri në 600 kilometra, të cilët mund të fshihen në kontejnerë dhe më pas të lëshohen nga deti.
Nga Deti Tirren, pothuajse i gjithë territori i Italisë do të ishte brenda rrezes së tyre, me përjashtim të Friuli-Venezia Giulia dhe provincës së Leçes. Gerbera është një version më i vogël i dronëve Shahed, të cilët përdoren shpesh nga forcat ruse për të detyruar sistemet kundërajrore të konsumojnë municionet e tyre. Megjithatë, edhe këta dronë mund të mbajnë një kokë shpërthyese me peshë rreth 4-5 kilogramë.
Sipas gazetës, Italia, Franca dhe Spanja mund të jenë vënë në shënjestër për shkak të rolit të tyre në mbështetjen e Ukrainës, si dhe për shkak të pranisë së partive politike që kundërshtojnë furnizimin e Kievit me armë.
Sipas këtij skenari, fluturimet e dronëve, me ose pa ngarkesa shpërthyese, do të synonin të përhapnin frikë në opinionin publik dhe të ndikonin në klimën politike përpara zgjedhjeve të ardhshme. Gazeta e lidh këtë alarm të pretenduar të CIA-s edhe me vendimin e presidentit francez Emmanuel Macron për të thirrur në Pallatin Élysée drejtuesit e partive politike, me qëllim paralajmërimin e tyre për kërcënimet ndaj Francës.
Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.