Trotinetet vazhdojnë të jenë kërcënim për këmbësorët

Ligji për trotinetët u miratua rreth një muaj më parë, por problemet dhe shqetësimi i qytetarëve kanë mbetur. Në shtigjet për këmbësorë ende vozitet shpejt dhe pa kujdes ndaj këmbësorëve, ndërsa shpesh vërehet se trotinetë drejtojnë persona...

gusht 9, 2026 - 21:00
Trotinetet vazhdojnë të jenë kërcënim për këmbësorët

Ligji për trotinetët u miratua rreth një muaj më parë, por problemet dhe shqetësimi i qytetarëve kanë mbetur. Në shtigjet për këmbësorë ende vozitet shpejt dhe pa kujdes ndaj këmbësorëve, ndërsa shpesh vërehet se trotinetë drejtojnë persona të mitur, gjë që është e ndaluar. Qytetarët thonë se nuk ndihen të sigurt dhe shumë shpesh janë gjendur në situatë ku kanë qenë në rrezik të goditen ose të përplasen nga trotinetët.

Ndryshimet ligjore parashikojnë rregulla të rrepta për përdorimin e trotinetëve elektrikë. Ligji parashikon që në shtigjet e këmbësorëve të vozitet me shpejtësi maksimale prej 5 kilometrash në orë, ndërsa në shtigjet e biçikletave maksimumi 20 kilometra në orë, por është e paqartë se si do të matet nëse dikush e tejkalon shpejtësinë.

Personave të mitur u ndalohet të drejtojnë trotinetë, ndërsa drejtuesi duhet të mbajë helmetë mbrojtëse dhe nuk lejohet të transportojë person tjetër. Nga MPB-ja thonë se po zhvillohen kontrolle dhe janë shqiptuar gjoba.

“Në periudhën nga 1 deri më 6 gusht të këtij viti, në territorin e gjithë shtetit janë sanksionuar gjithsej 117 drejtues të mjeteve të lehta elektrike, përkatësisht trotinetëve. Prej tyre, 19 në territorin e SPB Shkup, 10 në rajonin e SPB Tetovë, 21 në SPB Strumicë, 6 në SPB Veles, 46 në territorin e SPB Manastir, 4 në rajonin e SPB Ohër, ndërsa nga njësia mobile për sigurinë e trafikut rrugor janë sanksionuar 11 drejtues të mjeteve të lehta elektrike”, tha Goce Andrejevski – zëdhënës i MPB-së.

Gjoba maksimale për mosrespektimin e dispozitave të ligjit është 275 euro, ndërsa në varësi të kundërvajtjes ekziston mundësia që edhe trotineti të konfiskohet.

Ndryshe, sipas një hulumtimi, drejtuesit e trotinetëve janë të ekspozuar ndaj një rreziku dukshëm më të madh për lëndime serioze, veçanërisht në kokë.


Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.