U gjet alpinistja bullgare e zhdukur në Malin Sharr
Në kërkim u përfshinë dronë, helikopter policor dhe njësia speciale „Tigrat“ Është gjetur 37-vjeçarja shtetase bullgare, e cila mbrëmë ishte raportuar e zhdukur në Malin Sharr, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Sipas QMK-së, gruaj...
Në kërkim u përfshinë dronë, helikopter policor dhe njësia speciale „Tigrat“
Është gjetur 37-vjeçarja shtetase bullgare, e cila mbrëmë ishte raportuar e zhdukur në Malin Sharr, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK).
Sipas QMK-së, gruaja është gjetur sot në orën 14:50 në fshatin Leshnicë e Epërme, në gjendje të mirë shëndetësore.
Zhdukjen e 37-vjeçares mbrëmë e kishte raportuar Stacioni Policor „Popova Shapka“. Ajo ishte pjesë e një grupi prej katër shtetasish të huaj, të cilët ishin nisur drejt Majës së Titos.
Tre anëtarët e grupit ishin kthyer gjatë mbrëmjes, ndërsa kishin konstatuar se gruaja nuk ishte kthyer me ta dhe se nuk kishin informacione për vendndodhjen e saj. Menjëherë pas raportimit, u nis operacioni i kërkimit.
„Qendra për Menaxhim me Kriza gjatë gjithë aksionit koordinoi kërkimin me institucionet kompetente dhe ekipet në terren, me qëllim gjetjen sa më të shpejtë të personit të zhdukur.
Në kërkim u angazhuan pjesëtarë të njësive speciale nga Shkupi, të Stacionit Policor „Popova Shapka“, NP „Mali Sharr“ dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – Njësia Rajonale Tetovë.
Në operacion u përdorën edhe dy dronë me kamera termike, ndërsa kërkimit iu bashkuan edhe helikopteri policor „Bell 212“ dhe ekipi i shpëtimit nga Njësia Speciale Antiterroriste „Tigrat“.
Sot, në orën 14:50, gruaja e zhdukur u gjet në fshatin Leshnicë e Epërme, në gjendje të mirë shëndetësore“, thuhet në njoftimin e QMK-së.
Burimi i lajmit: lajmpress.org
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.