Ujërat e zeza derdhen në Lumin Zajaz, alarm për ndotjen në Kërçovë

Ujërat e zeza të papërpunuara po përfundojnë në Lumin e Zajazit, degën kryesore të Lumit Treska, për shkak të mosfunksionimit të sistemit për filtrimin dhe trajtimin e ujërave të zeza në Kërçovë. Rasti është konstatuar dje rreth mesditës...

shtator 6, 2026 - 23:00
Ujërat e zeza derdhen në Lumin Zajaz, alarm për ndotjen në Kërçovë

Ujërat e zeza të papërpunuara po përfundojnë në Lumin e Zajazit, degën kryesore të Lumit Treska, për shkak të mosfunksionimit të sistemit për filtrimin dhe trajtimin e ujërave të zeza në Kërçovë.

Rasti është konstatuar dje rreth mesditës gjatë një kontrolli rutinë nga Shoqata e Peshkatarëve Sportivë „Hanter Fish“ – Kërçovë. Në pamjet e siguruara nga terreni shihet uji që del nga kanali i lidhur me kolektorin e filtrimit, ndërsa era e rëndë e kanalit, sipas peshkatarëve, tregon për praninë e ujërave të zeza të patrajtuara.

Koncesionari i lumenjve të Kërçovës, Besmir Elezi, thotë se rastin e ka paraqitur edhe në Inspektoratin e Mjedisit, duke theksuar se kjo nuk është hera e parë që përballet me një situatë të tillë.

„Unë e kam paraqitur rastin edhe në Inspektoratin e Ambientit Jetësor që ta shohin si është situata. Nuk është hera e parë që po ndodh kjo. Dy herë kam kontaktuar me drejtorin dhe u kam thënë të gjejmë një rrugëzgjidhje që mos të vijmë deri në këtë pikë“, deklaroi Elezi.

Disa orë më vonë, në terren doli edhe ekipi i TV21, ku u konstatua prania e një ere të rëndë dhe ujërave të ndotura që dilnin nga kanali.

Sipas Elezit, situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të nivelit të ulët të ujit në lumë, si pasojë e thatësirës.

„Ne jemi koncesioner të fondit të peshkut dhe mikroorganizmave të lumit. Në këtë situatë kjo është një katastrofë shumë e madhe, për shkak se niveli i ujit është shumë i vogël për shkak të thatësirave të mëdha, ndërsa koncentrimi i amoniakut dhe i papastërtive bie poshtë. Për momentin, në të ardhmen, kur të bien reshjet e mëdha të shiut, ajo nga poshtë ngrihet dhe ngordh e gjithë bota e gjallë që është në ujë“, tha Elezi.

Peshkatarët paralajmërojnë se ndotja e përsëritur mund të ketë pasoja serioze për ekosistemin e lumit dhe organizmat ujorë.

Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet kompetente për të konstatuar shkaqet e mosfunksionimit të sistemit dhe për të parandaluar derdhjen e ujërave të zeza të patrajtuara në lumë.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh për faktin se, sipas koncesionarit, qytetarët e Komunës së Kërçovës paguajnë për shërbimin e trajtimit të ujërave të zeza, ndërsa problemi me funksionimin e sistemit, siç pretendohet, përsëritet.

Elezi apelon që institucionet të marrin masa konkrete dhe të sigurojnë funksionalizimin e plotë të sistemit të trajtimit, në mënyrë që ndotja të mos përsëritet.

„Kjo ndodh shpesh, nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit“, paralajmëron Elezi. Tv21

The post Ujërat e zeza derdhen në Lumin Zajaz, alarm për ndotjen në Kërçovë appeared first on Flaka, në çdo lajm... .


Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.