Uji i Gostivarit i sigurt për konsum, rikonfirmojnë analizat laboratorike
Pas analizave të fundit laboratorike, uji nga rrjeti publik i ujësjellësit në Gostivar konsiderohet sërish i sigurt për konsum. Ndërmarrja Publike „Komunalec“ – Gostivar njoftoi se rezultatet e pranuara më 4 shtator konfirmojnë se mostra...
Pas analizave të fundit laboratorike, uji nga rrjeti publik i ujësjellësit në Gostivar konsiderohet sërish i sigurt për konsum.
Ndërmarrja Publike „Komunalec“ – Gostivar njoftoi se rezultatet e pranuara më 4 shtator konfirmojnë se mostrat e ujit i plotësojnë standardet fiziko-kimike dhe mikrobiologjike, si dhe kriteret ligjore për cilësinë e ujit të pijshëm.
Analizat janë kryer nga Qendra për Shëndet Publik Tetovë – Njësia Rajonale Gostivar, ndërsa mostrat janë marrë në shtatë pika të ndryshme të rrjetit shpërndarës. Në mesin e tyre janë pompa e benzinës „Makpetrol“ në rrugën JNA, kaptazhi në Vërtok, lagjet Mllaki, Pitarnicë dhe Tullana, çezmat publike, si dhe Spitali i Përgjithshëm i Gostivarit.
Sipas rezultateve, në mostrat e analizuara nuk janë konstatuar tejkalime që do ta bënin ujin të papërshtatshëm për konsum.
„Komunalec“ thekson se kontrolli i cilësisë nuk do të ndalet me këto rezultate. Ndërmarrja thotë se do të vazhdojë me marrjen e mostrave në baza ditore dhe kryerjen e analizave laboratorike, me synim monitorimin e vazhdueshëm të sigurisë së ujit.
Rezultatet janë publikuar edhe në faqen zyrtare të ndërmarrjes, në kuadër të informimit dhe transparencës ndaj qytetarëve.
Pas periudhës së shqetësimeve për cilësinë e ujit në Gostivar, analizat e fundit sjellin një konfirmim pozitiv: uji nga rrjeti publik aktualisht i plotëson kriteret për konsum të sigurt. Gazeta Flaka
The post Uji i Gostivarit i sigurt për konsum, rikonfirmojnë analizat laboratorike appeared first on Flaka, në çdo lajm... .
Burimi i lajmit: flaka.com.mk
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.