Ulutaş në fund të mandatit: Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë është politike, jo ushtarake
Komandanti në largim i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka thënë se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë është politike dhe jo ushtarake, duke theksuar rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi E...


Komandanti në largim i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka thënë se rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë është politike dhe jo ushtarake, duke theksuar rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në fjalimin e tij me rastin e dorëzimit të komandës te pasardhësi i tij, gjeneralmajori italian Roberto Vergori, Ulutaş ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të kontribuojë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të lirisë së lëvizjes.
“Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake. Ajo është politike. Prandaj, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në këtë drejtim, përfshirë mbështetjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga BE-ja”, ka thënë Ulutaş, njofton KFOR.
Ai ka theksuar se dialogu është korniza për adresimin e çështjeve të pazgjidhura dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve.
Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, Ulutaş ka vlerësuar se ajo është dukshëm më e mirë sesa në vitin 1999, kur trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Sipas tij, organizatat e sigurisë në Kosovë janë zhvilluar dhe kanë rritur kapacitetet e tyre, ndërsa Policia e Kosovës, në bashkëpunim me misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, kujdeset çdo ditë për sigurinë publike të të gjitha komuniteteve.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se KFOR-i mbetet reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, me prani në të gjithë territorin, për të ruajtur stabilitetin dhe për të ndërhyrë në rast të rrezikut të përkeqësimit të situatës së sigurisë.
Ulutaş ka përmendur edhe procesin e përshtatjes graduale të pranisë së KFOR-it, të cilin NATO e kishte njoftuar në qershor, si përgjigje ndaj përmirësimit të situatës së sigurisë.
“Ky proces po zhvillohet në mënyrë graduale, në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, si dhe në përputhje me mandatin e përcaktuar nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka deklaruar ai.
Sipas Ulutaş, ky proces pasqyron përkushtimin e vazhdueshëm të Aleancës përmes KFOR-it për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe për garantimin e lirisë së lëvizjes.
Në fjalimin e tij të lamtumirës, komandanti në largim ka falënderuar ushtarët e KFOR-it nga vendet anëtare të NATO-s dhe shtetet partnere, duke vlerësuar profesionalizmin, disiplinën dhe përkushtimin e tyre.
“Ajo që ata kanë bërë këtu, ditë pas dite, është historia e vërtetë e KFOR-it”, ka thënë Ulutaş.
Ai ka falënderuar gjithashtu institucionet e Kosovës, Policinë e Kosovës, organizatat e sigurisë, EULEX-in, Bashkimin Evropian, UNMIK-un, misionin e OSBE-së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për bashkëpunimin me KFOR-in.
Ulutaş ka shprehur mirënjohje edhe për shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, për komunikimin dhe bashkëpunimin profesional e konstruktiv.
“Por, mbi të gjitha, i falënderoj të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë për besimin që i kanë dhënë KFOR-it. Ka qenë nder të shërbej mes tyre”, ka deklaruar ai.
Komanda e KFOR-it do të vazhdojë nën udhëheqjen e gjeneralmajorit italian Roberto Vergori, i cili ka shërbyer edhe më parë në Kosovë.
Në përfundim të fjalimit, Ulutaş ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe unitetit në suksesin e misionit të NATO-s në Kosovë.
“KFOR-i është një histori suksesi sepse, më të fortë së bashku, veprojmë si ekip”, ka përfunduar ai.
Burimi i lajmit: orainfo.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.