Ushtria shënon 34-vjetorin e themelimit

Ushtria sot shënon 34 vjet nga themelimi i saj si një forcë moderne, bashkëkohore dhe plotësisht e ndërveprueshme në kuadër të sistemit euroatlantik të sigurisë. Përmes pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, modernizimit të përshpejtuar dh...

gusht 18, 2026 - 09:30
Ushtria shënon 34-vjetorin e themelimit

Ushtria sot shënon 34 vjet nga themelimi i saj si një forcë moderne, bashkëkohore dhe plotësisht e ndërveprueshme në kuadër të sistemit euroatlantik të sigurisë. Përmes pjesëmarrjes në misionet ndërkombëtare, modernizimit të përshpejtuar dhe përmbushjes së standardeve të NATO-s, ajo konfirmon rolin e saj si aleate e besueshme e NATO-s dhe faktor i rëndësishëm në sigurinë rajonale, por mbi të gjitha, si forcë e përkushtuar ndaj misionit të saj themelor – mbrojtjes së pavarësisë, integritetit territorial dhe sigurisë së shtetit dhe qytetarëve njofton INA.

Nga Ushtria theksojnë se viti i kaluar ishte vit i rezultateve të rëndësishme dhe konfirmim se Ushtria vazhdon t’i zhvillojë kapacitetet e saj dhe të përmbushë standardet më të larta kombëtare dhe të NATO-s. Periudha u karakterizua nga cikli më dinamik i pajisjes dhe transformimit deri më tani, si dhe nga mbështetja e vazhdueshme për institucionet civile gjatë situatave të krizës dhe fatkeqësive natyrore. Gjatë vitit 2026, Ushtria demonstroi nivel të lartë të gatishmërisë operacionale, ndërveprueshmërisë dhe aftësisë për reagim të shpejtë.

Kontribut aktiv në misionet ndërkombëtare dhe gatishmëri për mbështetjen e qytetarëve

Aktualisht, më shumë se 180 pjesëtarë të Ushtrisë janë të dislokuar në Rumani, Bullgari, Letoni, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Liban, si dhe në kuadër të misionit NSATU të NATO-s për asistencë dhe trajnim në fushën e sigurisë për Ukrainën. Përveç detyrimeve ndërkombëtare, Ushtria mbetet e gatshme edhe për mbështetjen e institucioneve civile në përballimin e fatkeqësive natyrore dhe situatave të krizës. Gjatë periudhës së verës mbahet një nivel i lartë gatishmërie për angazhim eventual në luftën kundër zjarreve, me ç’rast më shumë se 300 pjesëtarë të Ushtrisë janë të gatshëm për veprim të menjëhershëm në të gjithë territorin e shtetit, në koordinim me institucionet kompetente.

Nga Ushtria theksojnë se është në ciklin më intensiv të modernizimit që nga themelimi i saj. Automjetet e reja të blinduara “Stryker” dhe “JLTV” përmirësojnë ndjeshëm mobilitetin, mbrojtjen dhe efikasitetin luftarak të njësive, ndërsa sistemi i artilerisë “Boran” siguron goditje të sakta me zjarr në distanca të mëdha. Njëkohësisht, futja në përdorim e sistemit modern kundërajror “Mistral 3” do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve kombëtare për mbrojtjen dhe kontrollin e hapësirës ajrore.

Një arritje veçanërisht e rëndësishme për Ushtrinë gjatë periudhës së kaluar ishte vlerësimi i suksesshëm i Grupit Batalionik të Këmbësorisë së Lehtë (GBKL) në stërvitjen kombëtare në terren “Blesok 26”, i realizuar në përputhje me standardet e NATO-s për vlerësimin e komandave dhe njësive tokësore. Më 24 prill të këtij viti, pas përfundimit të vlerësimit në qendrën e trajnimit “Pepelishte”, komandanti i njësisë u njoftua se GBKL-ja i përmbush të gjitha standardet e përcaktuara dhe është vlerësuar si “e gatshme për luftim për përmbushjen e misionit të saj”.

Sipas shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral-major Sashko Lafçiski, marrja e statusit “e gatshme për luftim” ose “Mission Capable” është një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm për Grupin Batalionik të Këmbësorisë së Lehtë dhe Ushtrinë, por edhe për të gjithë shtetin në përgjithësi.

“Ky është rezultat i një orientimi të qartë strategjik, punës së palodhur, procesit sistematik të planifikimit, përgatitjes, trajnimit, pajisjes dhe modernizimit të Ushtrisë, si dhe sinergjisë së Ushtrisë, Ministrisë së Mbrojtjes dhe institucioneve të tjera shtetërore, të orientuara qartë drejt përmbushjes së objektivave të përcaktuara strategjikisht. Me këtë vlerësim, përmes një procesi jashtëzakonisht rigoroz, si shtet dëshmuam se Ushtria maqedonase, me përkushtim të jashtëzakonshëm, është e orientuar drejt përmbushjes së standardeve të larta të NATO-s, përkatësisht se Ushtria është e trajnuar dhe e pajisur në nivel të lartë dhe qëndron krah për krah me forcat aleate”, theksoi Lafçiski.(INA)


Burimi i lajmit: ina-online.net
Shënim: Ky material është përpunuar për qëllime informimi nga Portali lajme.mk.